Kryediplomati turk: Marrëveshja SHBA-Iran pret zgjidhjen e çështjeve teknike
Ministri i Punëve të Jashtme i Turqisë, Hakan Fidan, ka deklaruar se SHBA-ja dhe Irani kanë arritur një marrëveshje në parim për elementët kryesorë, por se çështjet teknike, përfshirë fatin e uraniumit të pasuruar të Iranit dhe zbatimin e një moratoriumi të ardhshëm mbi pasurimin, mbeten ende të pazgjidhura, raporton Anadolu.
Duke folur me gazetarët gjatë vizitës së tij në Rusi, Fidan tha se ekipet teknike ende duhet të përcaktojnë se si do të hollohen, monitorohen dhe verifikohen 400 kilogramë uranium i pasuruar në Iran.
“Ekziston një mirëkuptim në parim lidhur me hollimin e 400 kilogramëve uranium të pasuruar në Iran. Por kush do ta kryejë hollimin, kush do ta mbikëqyrë atë dhe si do të verifikohet, këto ende duhet të diskutohen”, tha Fidan.
Fidan tha se kushtet e luftës, mosbesimi i ndërsjellë dhe zhvillimet rajonale, përfshirë pushtimin izraelit të Libanit, kanë ngadalësuar negociatat midis Washingtonit dhe Teheranit.
“Derisa pala amerikane mund të përgjigjej brenda një ore, iranianëve ndonjëherë u duhej një javë”, tha ai, duke shtuar se ka inkurajuar të dyja palët të angazhoheshin në bisedime të drejtpërdrejta.
Kryediplomati turk kritikoi gjithashtu politikat rajonale të Izraelit, duke i cilësuar ato si “një problem global”.
“Izraeli dëshiron shkatërrim në rajon. Ai dëshiron të pushtojë disa vende dhe të përdorë terrorizmin. Kjo ka pasoja për sigurinë globale, si dhe për ekonominë. Ne po shohim që Izraeli po përballet me një reagim diplomatik gjithnjë e më të madh. Shpresojmë që ky reagim diplomatik të japë rezultate dhe që të gjitha vendet në rajonin tonë të jetojnë në paqe, stabilitet dhe mirëqenie”, tha Fidan.
Ai theksoi konflikti që përfshin Iranin, SHBA-në dhe Izraelin ka zhvendosur vëmendjen ndërkombëtare larg Gazës, por shprehu shpresën se vendet e rajonit do ta rikthejnë fokusin te enklava sapo kriza të zbutet.
Ai shtoi se përpjekjet për të arritur një marrëveshje kornizë për fazën e dytë të negociatave për armëpushimin në Gaza po vazhdojnë me përfshirjen e Organizatës Kombëtare të Inteligjencës së Turqisë (MIT).
– Samiti i NATO-s në Ankara
Duke iu referuar NATO-s, Fidan tha se vendimet kyçe që pritet të merren në samitin e aleancës muajin e ardhshëm në Ankara nuk mund të merren pa praninë e presidentit amerikan, Donald Trump, duke shtuar se shumë aleatë evropianë besojnë se fakti që takimi do të mbahet në Turqi është arsyeja kryesore pse Trump pritet të marrë pjesë.
“Shumë vende evropiane thonë se fakti që takimi do të organizohet nga presidenti ynë në Turqi është faktori më i rëndësishëm që e bën të mundur pjesëmarrjen e presidentit Trump. Nëse nuk do të ishte presidenti ynë dhe nëse nuk do të ishte Turqia, Trump nuk do të merrte pjesë dhe praktikisht do të kishte deklaruar se nuk i kushton rëndësi samitit”, tha Fidan.
Ai tha se përgatitjet për samitin e 7 dhe 8 korrikut po vazhdojnë intensivisht.
“Çështja më e rëndësishme është se si do të shfaqen nuancat mes qasjeve të SHBA-së dhe evropianëve ndaj NATO-s. Ka çështje shumë të rëndësishme dhe nuk është e mundur që ato të vendosen në një takim ku mungon presidenti i SHBA-së”, theksoi ai.
Më tej, Fidan gjithashtu tha se bisedimet e tij në Rusi treguan se nuk ka mosmarrëveshje të mëdha që pengojnë marrëdhëniet dypalëshe apo bashkëpunimin rajonal, pasi të dy vendet synojnë zgjerimin e bashkëpunimit. Vizitat reciproke të nivelit të lartë vazhdojnë dhe marrëdhëniet mbeten të pandryshuara pavarësisht se çështjet e vështira diskutohen hapur, shtoi ai.
“Ne kemi zhvilluar një marrëdhënie shumë të veçantë me rusët. Edhe kur kemi pasur mosmarrëveshje shumë serioze, kemi ditur si të bashkëpunojmë dhe të ndërtojmë besim. Të dy udhëheqësit kanë një vizion të qartë; ata mbrojnë interesat e vendeve të tyre brenda disa parimeve të caktuara dhe janë të gatshëm të ndjekin një qasje konstruktive”, tha ai.
– Lufta Rusi-Ukrainë dhe Kaukazi i Jugut
Lidhur me luftën Rusi-Ukrainë, Fidan tha se qëndrimi i Moskës mbetet i pandryshuar.
“Gjatë takimeve të mia në Rusi, vura re se pikëpamjet e zyrtarëve rusë për Ukrainën nuk kanë ndryshuar. Ata thonë: ‘Nuk ka asnjë mundësi që kjo të ndodhë derisa të zgjidhet çështja e Donetskut’ “, tha Fidan.
Sa i përket Kaukazit të Jugut, Fidan tha se palët kanë rënë dakord të aktivizojnë platformën rajonale 3+3, ku përfshihen Turqia, Rusia, Azerbajxhani, Irani, Armenia dhe Gjeorgjia, duke e cilësuar atë si një mekanizëm të rëndësishëm për forcimin e bashkëpunimit rajonal.
“Si vende të rajonit, ne duhet t’i japim përparësi bashkëpunimit në vend të konkurrencës dhe përpjekjeve për dominim. Me të njëjtën qasje, ne mund të forcojmë ekonomitë tona dhe të rrisim stabilitetin në Kaukazin e Jugut dhe Azinë Qendrore. Kërkimi i dominimit duhet të marrë fund. Paqja, qetësia dhe stabiliteti do të jenë në dobi të të gjithëve. Ne duhet të ndryshojmë mënyrën tonë të të menduarit”, theksoi ai.
Pavarësisht mosbesimit të vazhdueshëm mes disa vendeve, ministri turk tha se bisedimet e fundit midis Azerbajxhanit, Turqisë dhe Gjeorgjisë janë përqendruar në ndërlidhshmërinë rajonale, përfshirë lidhjen e Korridorit të Mesëm me Turqinë.
“Ne besojmë se mund të ndërmerren hapa të rëndësishëm”, tha ai.
Lidhur me normalizimin e marrëdhënieve me Armeninë, Fidan tha se qeveria e kryeministrit Nikol Pashinyan ka ndërmarrë hapa të rëndësishëm, ndërsa Turqia, nën udhëheqjen e presidentit Recep Tayyip Erdogan, ka avancuar masa të tilla si tregtia e drejtpërdrejtë dhe fluturimet mes dy vendeve.
“Ne jemi të gatshëm për normalizim sapo të krijohen kushtet e nevojshme”, shtoi ai.

