Kreu i OBSH-së: Mbi 477 milionë njerëz shijuan përfitimet e kujdesit shëndetësor që nga 2018

Kreu i OBSH-së: Mbi 477 milionë njerëz shijuan përfitimet e kujdesit shëndetësor që nga 2018

Që nga viti 2018, më shumë 477 milionë njerëz kanë shijuar përfitimet e mbulimit shëndetësor universal, deklaroi sot shefi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), raporton Anadolu.

“Kemi bërë përparim dhe kemi mbyllur boshllëqet”, tha Tedros Ghebreyesus.

“Por sipas trendeve aktuale, afër gjysma e popullsisë së botës do të mbulohet deri në fund të epokës së Objektivave Globale të OKB-së në vitin 2030, që do të thotë se duhet të paktën të dyfishojmë ritmin”, kërkoi Ghebreyesus gjatë fjalimit të tij në Asamblenë Botërore të Shëndetësisë.

Ghebreyesus, Takimin e Nivelit të Lartë të këtij viti rreth Përgatitjes dhe Reagimit ndaj Pandemisë e quajti “mundësi të vlefshme” për udhëheqësit që të përcaktojnë një rrugë të qartë përpara drejt kësaj të ardhmeje.

“Kur të trokasë pandemia tjetër, dhe që do të ndodhë, ne duhet të jemi gati të përgjigjemi me vendosmëri, kolektivisht dhe në mënyrë të barabartë”, tha ai.

Pandemia COVID-19 ka treguar se nuk janë një miliard njerëz, por tetë miliardë njerëz që duhet të mbrohen më mirë, tha ai.

“Pandemia na ka nxjerrë jashtë kursit, por na ka treguar pse Objektivat Globale të OKB-së duhet të mbeten ylli ynë verior dhe pse ne duhet t’i ndjekim ato me të njëjtën urgjencë dhe vendosmëri me të cilën u ballafaquam me pandeminë”, shtoi ai.

Taksa shëndetësore

Ghebreyesus tha se një nga “mënyrat kryesore” që vendet po e bëjnë këtë është përdorimi i taksave shëndetësore në luftën kundër sëmundjeve jo të transmetueshme.

Midis 2017 dhe 2022, ai tha se 133 vende anëtare të OBSH-së rritën ose vendosën taksa të reja shëndetësore për produktet e dëmshme, duke përfshirë duhanin dhe pijet me sheqer.

Gjithashtu, “progres inkurajues” është vërejtur edhe në eliminimin e yndyrës trans të prodhuar në mënyrë industriale nga furnizimi global i ushqimit, tha ai.

“Që kur nisëm iniciativën tonë REPLACE në 2018, kemi parë një rritje gjashtëfish të numrit të njerëzve të mbrojtur nga politikat e rekomanduara nga OBSH-ja për përdorimin e yndyrave trans të prodhuara në mënyrë industriale, nga 550 milionë njerëz në më shumë se 3,7 miliardë”, shtoi ai.

Sipas shefit të OBSH-së, marrja e kripës, faktor kryesor rreziku për sëmundjet kardiovaskulare, është reduktuar ndjeshëm në shumë vende.

Lidhur me ndryshimet klimatike, ai potencoi nisjen e Aleancës për Veprimin Transformues për Ndryshimet Klimatike dhe Shëndetin, e cila po mbështet 65 vende për të ndërtuar sisteme shëndetësore rezistente ndaj klimës dhe miqësore ndaj klimës, në COP-27 në 2022.

Asambleja Botërore e Shëndetësisë, e cila filloi të dielën dhe do të përfundojë më 30 maj, do të përcaktojë planet imediate dhe afatgjata të OBSH-së, duke filluar me buxhetin e saj për dy vitet e ardhshme, vendimet kyçe për financimin e qëndrueshëm dhe përpjekjet për të përmirësuar proceset dhe mekanizmat e llogaridhënies.

MARKETING