Kreu i NATO-s mirëpret miratimin e Turqisë për anëtarësimin e Suedisë në aleancë

Kreu i NATO-s mirëpret miratimin e Turqisë për anëtarësimin e Suedisë në aleancë

Presidenti i Türkiyes, Recep Tayyip Erdoğan, zhvilloi një bisedë telefonike me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, me të cilin diskutuan miratimin e bërë nga Türkiye për anëtarësimin e Suedisë në NATO, raporton Anadolu.

Drejtoria e Komunikimeve e Presidencës së Türkiyes, përmes një postimit në X, njoftoi se gjatë bisedës telefonike u diskutuan edhe çështje globale dhe rajonale.

Në lidhje me bisedën telefonike, reagoi edhe Stoltenberg, i cili përshëndeti miratimin e Türkiyes për anëtarësimin e Suedisë në NATO, duke thënë se aleanca “do të jetë më e fortë me Suedinë si aleate”.

“Më vjen mirë që bisedova me presidentin Erdoğan, për të mirëpritur ratifikimin nga Türkiye të anëtarësimit të Suedisë në NATO. Shqetësimet legjitime të sigurisë të Türkiyes janë trajtuar, ndërsa Suedia, Türkiye dhe NATO do të jenë më të forta me Suedinë si aleate”, tha Stoltenberg. X.

Ligji i miratuar dje nga parlamenti turk, që miraton anëtarësimin e Suedisë në NATO, u botua në Gazetën Zyrtare të Türkiyes, duke finalizuar ratifikimin, tha më herët Drejtoria e Komunikimeve.

Presidenti Erdoğan nënshkroi dekretin presidencial për anëtarësimin e vendit nordik në aleancën ushtarake dhe miratoi protokollin përkatës. Tashmë ligji ka hyrë në fuqi.

Parlamenti turk të martën me 287 vota pro dhe 55 kundër ratifikoi anëtarësimin e Suedisë në NATO.

Pranimi i një anëtari të ri kërkon mbështetjen unanime të të gjithë anëtarëve të NATO-s, ndërsa Hungaria është tani i vetmi aleat që nuk e ka ratifikuar pranimin e Suedisë.

Suedia dhe Finlanda aplikuan për anëtarësim në NATO në maj 2022 pas fillimit të luftës së Rusisë kundër Ukrainës në fillim të atij viti.

Finlanda iu bashkua aleancës si anëtari i saj i 31-të në prill 2023.

MARKETING