Konfirmohen tri kombëtaret e fundit që marrin pjesë në Euro 2024

Konfirmohen tri kombëtaret e fundit që marrin pjesë në Euro 2024

Sot (e martë) u zhvilluan edhe tri ndeshjet e fundit të play-offit për kualifikim në Kampionatin Evropian 2024. Gjeorgjia, Ukraina dhe Polonia janë tri ekipet e fundit që kanë ‘prerë’ biletën e kualifikimit duke plotësuar kështu numrin e 24 kombëtareve që do të marrin pjesë.

Për Gjeorgjinë ky kualifikim ishte historik, pasi ishte hera e parë në historinë e tyre që ia dolën të kualifikoheshin në Kampionatin Evropian.

Ata mposhtën në ndeshjen përcaktuese kombëtaren e Greqisë pas ekzekutimit të penalltive. Për 120 minuta më shumë nga loja treguan grekët, por Mamardashvili nuk lejoi që të mposhtej.

Në ekzekutimin e penalltive më të saktë u treguan gjeorgjianët duke fituar me rezultat të përgjithshëm 4-2.

Me këtë triumf ata tashmë janë pozicionuar në grupin F, aty ku bëjnë pjesë Portugalia, Republika Çeke dhe Turkia.

Ukraina me një rikthim sensacional në pjesën e dytë arriti që të marrë fitoren ndaj Islandës e cila i kualifikoi në Euro 2024.

Golat e Viktor Tsykangov dhe Mykhailo Mudryk kompletuan përmbysjen e rezultatit në atë që ishte një ndeshje e cila u dominua tërësisht nga Ukraina.

Islanda pas golit të shënuar u mbyll e tëra në pjesëfushën e saj, dhe u mundua që ruaj epërsinë e krijuar, por që nuk i rezistuan sulmeve të pareshtura nga futbollistët ukrainas.

Me këtë fitore Ukraina është pozicionuar në grupin F, aty ku bëjnë pjesë Belgjika, Rumania dhe Sllovakia.

Dhe kombëtarja e fundit e cila siguroi kualifikimin në Euro 2024 është Polonia e cila në ndeshjen përcaktuese mposhti Uellsin pas ekzekutimit të penalltive.

Për 120 minuta lojë ndeshja ishte mjaft e baraspeshuar me të dyja ekipet që kishin rastet e tyre për gol, por nuk ia dolën të gjejnë rrugën e rrjetës.

Kjo bëri që të nevojiteshin penalltitë për të përcaktuar ekipin që kualifikohet në Euro, dhe nga pika e bardhë më të saktë u treguan polakët që e mbyllën me rezultat 5-4, pasi Daniel James i Uellsit humbi penalltinë vendimtare.

Polonia tani pas kualifikimit në Kampionatin Evropian është pozicionuar në grupin D, së bashku me Austrinë, Francën dhe Holandën.

MARKETING