Komisarja e BE-së anulon vizitën në Serbi për shkak të glorifikimit të kriminelit të dënuar të luftës Mlladiq

Komisarja e BE-së anulon vizitën në Serbi për shkak të glorifikimit të kriminelit të dënuar të luftës Mlladiq

Komisarja e Bashkimit Evropian (BE) për Zgjerimin, Marta Kos ka anuluar vizitën e planifikuar në Serbi për shkak, siç tha ajo, të glorifikimit të kriminelit të dënuar të luftës Ratko Mlladiq pas kthimit të eshtrave të tij në Beograd, transmeton Anadolu.

MARKETING

Description of image

“Ratko Mlladiq është dënuar për gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe krime lufte. Kthimi i eshtrave të tij në Beograd ia kujton Evropës faqet më të errëta të historisë sonë të afërt”, shkroi ajo në rrjetin social amerikan X.

“Glorifikimi që shoqëron vdekjen e tij, nuk është në përputhje me vlerat mbi të cilat është ndërtuar rruga drejt BE-së”, tha Kos duke shtuar se “Kjo rrugë kërkon përballje me të kaluarën, pajtim të vërtetë dhe respekt për viktimat e krimeve të luftës”.

Ajo theksoi se “vlerat që përbëjnë themelin e së ardhmes sonë të përbashkët nuk janë objekt negociatash”. “Në këtë kontekst, kam vendosur që në këtë moment të mos e realizoj vizitën time të planifikuar në Serbi”, shtoi Kos, e cila duhej ta vizitonte Serbinë më vonë këtë muaj.

Serbia është vend kandidat për anëtarësim në BE që nga viti 2012 dhe zhvillon negociata për anëtarësim me bllokun që nga viti 2014.

Mlladiq, ish-komandant i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Republikës Srpska, u dënua me vendim të formës së prerë në qershor të vitit 2021 me burgim të përjetshëm për gjenocidin në Srebrenicë, përndjekjen e boshnjakëve dhe kroatëve, terrorizimin e qytetarëve të Sarajevës dhe marrjen peng të pjesëtarëve të UNPROFOR-it. Ai vdiq më 27 gusht në paraburgim në Hagë.

Një avion i Qeverisë së Serbisë solli nga Haga trupin e kriminelit të dënuar të luftës Mlladiq, i cili më pas u transportua në Akademinë Mjekësore Ushtarake në Beograd. Trupi i Mlladiqit u prit nga pjesëtarë të Ushtrisë së Serbisë dhe ishte i mbuluar me flamujt e Serbisë dhe të entitetit të Republikës Sërpska.

Ceremonia përkujtimore do të mbahet në Beograd të shtunën ndërsa Mlladiq do të varroset të hënën në varrezat e Topçiderit.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq tha se shteti do të jetë i gatshëm të ofrojë mbështetje logjistike, transporti dhe mbështetje të tjera si dhe ndihmë për ruajtjen e rendit publik, paqes dhe sigurisë.

MARKETING