PTHP: Një person nga Velesi dyshohet se mashtroi qytetarët me “vaksina kubaneze” kundër kancerit
Prokuroria Themelore Publike në Veles ka nisur veprime hetimore ndaj një personi të dyshuar për mashtrim dhe një vepër tjetër penale, pasi dyshohet se u ka ofruar disa personave në mënyrë të rreme “vaksina kubaneze” kundër kancerit, me qëllim përfitimin e paligjshëm financiar.
Sipas njoftimit të Prokurorisë, në kuadër të rastit janë siguruar urdhra për bastisje në disa lokacione, me qëllim mbledhjen e provave që do të ndihmojnë në zbardhjen e plotë të çështjes.
Gjatë bastisjes në vendin e punës së të dyshuarit në Veles, janë gjetur prova që do t’i nënshtrohen ekspertizës. Gjithashtu, janë sekuestruar pajisje elektronike, ndërsa autoritetet po kryejnë edhe veprime të tjera verifikuese.
Prokurori publik kompetent po merr në pyetje personat e dëmtuar, si dhe persona të tjerë që mund të kenë informacione të rëndësishme për hetimin.
Ndërkohë, Prokuroria i ka propozuar gjykatës caktimin e masave paraprake ndaj të dyshuarit, përfshirë marrjen e dokumentit të udhëtimit dhe detyrimin për t’u paraqitur në gjykatë.
Sipas njoftimit, i dyshuari aktualisht është i shtruar në një institucion shëndetësor, ku i është dorëzuar vendimi për caktimin e masave.
Prokuroria dhe Ministria e Punëve të Brendshme po vazhdojnë veprimet për sigurimin e provave dhe sqarimin e të gjitha rrethanave të rastit.
Hetimet janë në vijim, ndërsa përgjegjësia penale e të dyshuarit duhet të vërtetohet nga organet kompetente.

