Kohë të vështira për Juven, më e keqja s’ka mbaruar…

Kohë të vështira për Juven, më e keqja s’ka mbaruar…

Prokurori i Federatës Italiane të Futbollit do të kërkojë që Juventus të dënohet duke i hequr të paktën 20 pikë të tjera.

Kjo për shkak të mashtrimit që lidhet me pagesën e pagave për futbollistët gjatë pandemisë së koronavirusit, i cili konsiderohet një shkelje shumë më e rëndë e rregullave sesa përdorimi i kapitalit të rremë në librat financiarë.

Nëse ky dënim i shtohet 15 pikëve që tashmë i janë zbritur Juventusit më 20 janar për shkak të rastit të përmendur, klubi do të binte në vendin e fundit në Serie A, shkruan Corriere dello Sport.

Nëse Juventusi do të ndëshkohej me 20 pikë, pas xhiros së 20-të do të kishte vetëm tre pikë dhe do të binte në fund të Serisë A, në vend të Cremoneses, që ka tetë pikë dhe asnjë fitore këtë sezon. Në pjesën e dytë të kampionatit, Juventusi do të ishte 10 pikë larg zonës së sigurisë dhe deri në fund të sezonit do t’i priste një luftë e ashpër për mbijetesë, shkruan Sport Centar.

Juventusi deri vonë ishte në një seri të madhe prej tetë ndeshjesh dhe tetë fitoresh pa pësuar gol dhe më pas pësoi një humbje të rëndë 5:1 ndaj Napolit në derbin për kreun e klasifikimit. Pavarësisht kësaj, deri para dy javësh, Juventusi ishte 10 pikë pas Napolit dhe teorikisht në lojë për titull, ndërsa vendi i tyre në Ligën e Kampionëve sezonin e ardhshëm ishte i siguruar.

Pas asaj zbritjeje pikësh, Juventusi ra në 22 pikë dhe në vendin e 11-të në Serie A. Në dy xhirot pasuese, një Juventus i tronditur fitoi vetëm një pikë, ndaj pas humbjes ndaj Monza-s, trajneri Massimiliano Allegri tha:

“Duhet të fitojmë pikë për të siguruar që të qëndrojmë në Serinë A. Situata është kthyer përmbys, por ky është realiteti për momentin dhe duhet ta pranojmë, përndryshe do të përfundojë keq për ne. Duhet të jemi të vetëdijshëm për pozitën që kemi në tabelë për momentin e të mos mendojmë për 38 pikët që kemi fituar. Tani kemi 23 pikë dhe duhet të veprojmë kështu. Çdo ndeshje është vendimtare, duhet të dalim sa më shpejt nga kjo vorbull.”

Këtë e tha Allegri përpara se kërcënimi për heqjen e 20 pikëve të tjera nga Juventusi të bëhej shumë real.

MARKETING