Koalicioni i udhëhequr nga Arabia Saudite thotë se ka shkatërruar pesë raketa të lëshuara nga Huthit
Koalicioni i udhëhequr nga Arabia Saudite në Jemen tha të shtunën se ka interceptuar dhe shkatërruar pesë raketa të lëshuara nga Huthit drejt Arabisë Saudite që nga agimi, ndërsa Mbrojtja Civile e mbretërisë ka lëshuar shtatë alarme emergjente, transmeton Anadolu.
Në deklaratën e fundit në platformën sociale amerikane X, koalicioni tha se sistemet e mbrojtjes ajrore kanë interceptuar dhe shkatërruar një raketë balistike të lëshuar në drejtim të qytetit Al-Shuqaiq, në jugperëndim të Arabisë Saudite.
Pas interceptimit, në tokë kanë rënë mbetje të raketës, por nuk ka pasur civilë të lënduar, tha koalicioni, duke u zotuar se do t’i përgjigjet çdo përpjekjeje për të shënjestruar civilët dhe infrastrukturën civile.
Më herët, koalicioni tha se kishte interceptuar dhe shkatërruar tri raketa balistike të lëshuara nga Huthit drejt rajonit jugor të mbretërisë.
Zëdhënësi i koalicionit, Turki al-Maliki, gjithashtu tha të shtunën herët se sistemet e mbrojtjes ajrore kishin interceptuar dhe shkatërruar një raketë lundruese të Huthive, të lëshuar në drejtim të rajonit të Riadit.
Mbrojtja Civile e Arabisë Saudite lëshoi alarm emergjent për qytetin Xhazan, në jugperëndim të vendit, përmes Platformës Kombëtare të Paralajmërimit të Hershëm, pa specifikuar natyrën e kërcënimit.
Alarmi u anulua tetë minuta më vonë, ndërsa banorëve iu kërkua të vazhdojnë të ndjekin udhëzimet zyrtare dhe të shmangin grumbullimet ose filmimet.
Gjashtë alarmet e mëparshme përfshinin qytetin Khamis Mushait, ku u lëshuan dy paralajmërime, si dhe Abha në rajonin Asir, rajonin Xhazan, Al-Kharj në rajonin e Riadit dhe Provincën Lindore.
Mbrojtja Civile nuk bëri të ditur nëse të shtatë alarmet ishin të lidhura me lëshimin e raketave nga Huthit.

