Klekovski: Uji në Gostivar do të lejohet për konsum vetëm kur të jetë plotësisht i sigurt

Klekovski: Uji në Gostivar do të lejohet për konsum vetëm kur të jetë plotësisht i sigurt

Ministri i Shëndetësisë, Sasho Klekovski, deklaroi se uji i pijshëm në Gostivar do të rikthehet për konsum vetëm pasi institucionet kompetente të konfirmojnë se është plotësisht i sigurt për qytetarët.

MARKETING

Description of image

Ai bëri thirrje që publiku të mos ndjekë informacione të pakonfirmuara, duke theksuar se vetëm institucionet zyrtare kanë kapacitetet dhe ekspertizën për të vlerësuar situatën.

“Do të kërkoja që të mos ketë përfitues pa kontribut në këtë epidemi. Shoh mjekë që nuk janë epidemiologë apo specialistë të sëmundjeve infektive duke dhënë këshilla dhe opinione të ndryshme. E di që situata të tilla përdoren për të tërhequr klikime dhe pëlqime, por u bëj thirrje qytetarëve të ndjekin udhëzimet dhe njoftimet zyrtare”, tha Klekovski.

Sipas tij, situata po monitorohet vazhdimisht nga institucionet shëndetësore, ndërsa analizat mikrobiologjike dhe virologjike kryhen edhe nga Klinika e Sëmundjeve Infektive, e cila disponon panelin më të gjerë të testeve për identifikimin e baktereve dhe viruseve.

“Prandaj, nuk ka virus që nuk mund të zbulohet. Uji do të rikthehet në përdorim vetëm kur të jetë absolutisht i sigurt”, theksoi ministri.

Klekovski shtoi se deri më tani nuk janë identifikuar agjentë që do të shkaktonin një ndryshim të pamjes klinike te pacientët. Sipas rezultateve të deritanishme, bëhet fjalë për viruse dhe baktere që shkaktojnë simptoma të menjëhershme, si shqetësime gastrointestinale dhe ethe, të ngjashme me rastet e regjistruara gjatë ditëve të fundit.

MARKETING