Kina pranoi të armatoste fshehurazi Rusinë, zbulojnë dokumentet e Pentagonit
Kina miratoi dhënien e ndihmës vdekjeprurëse për Rusinë gjatë pushtimit të Ukrainës, por dëshironte që çdo dërgesë të mbetej sekrete, sipas dokumenteve të zbuluara të qeverisë amerikane.
Informacionet e inteligjencës amerikane, të datës 23 shkurt, thonë se Pekini kishte miratuar furnizimin me armë të Moskës, të cilat do t’i maskoheshin si mallra, sipas një shkrimi të Washington Post.
Inteligjenca u mblodh nga agjentë amerikanë që përgjonin diskutimet e shërbimit sekret rus, raportoi gazeta. Rusët thanë se komisioni qendror ushtarak kinez dëshironte që dërgesat të mbeteshin sekrete, raporton theguardian.
Dosjet ishin pjesë e një grupi të madh dokumentesh të klasifikuara që u shfaqën në platformën online “Discord”.
Të premten, Jack Teixeira, 21-vjeçari i akuzuar për nxjerrjen e dokumenteve, doli para gjykatësve në Boston.
Zyrtarët amerikanë kanë thënë se dokumentet janë autentike dhe përmbajnë informacione shumë të ndjeshme, edhe pse disa duket se janë përpunuar. /Telegrafi/