Imer Selmani: Manastiri nuk ka nevojë vetëm për një javë festa, por për përkujdesje shumë më të madhe institucionale
Konsulli i Nderit i Shqipërisë në Manastir, Imer Selmani, i ftuar sonte në emisionin “IMPAKT”, në TV SHENJA, ka folur për rëndësinë historike të Manastirit dhe nevojën për një përkujdesje më të madhe institucionale ndaj qytetit. Ai ka vlerësuar organizimin e festimeve, por ka theksuar se ato nuk janë të mjaftueshme dhe se Manastiri ka nevojë për angazhim më të madh nga institucionet e Maqedonisë së Veriut, Shqipërisë dhe Kosovës.
“Mund të them me një përgjegjësi të plotë se ka një zhvillim shumë të bukur, shumë të mirë për Manastirin dhe festat që organizohen, kremtohen pikërisht në Manastir. Por, patjetër duhet të nënvizoj se, a është e bollshme?! Nuk është e bollshme!
Manastiri nuk ka nevojë vetëm për një javë festa, Manastiri ka nevojë për një përkujdes administrativ shumë më të madh, patjetër se para së gjithash nga organet shtetërore të Maqedonisë së Veriut, nga qeveria, nga pushteti lokal dhe pse jo nga institucionet përgjegjëse të Shqipërisë dhe të Kosovës.
Për arsye se Manastiri i ka dhënë shumë shqiptarisë dhe popullit shqiptar në përgjithësi, historisë, rilindjes tonë, vetëdijes kombëtare, në fund të fundit i ka dhuruar pikërisht Manastiri dhe shumë atdhedashës të Manastirit kanë dhuruar abetaren, diçka që është më e shenjtë për një popull”, u shpreh Imer Selmani në emisionin “IMPAKT”.

