Kina: Dërgimi i armëve në Ukrainë nuk do të sjellë paqe

Zëvendësambasadori i Kinës në Kombet e Bashkuara, Dai Bing, tha para Asamblesë së Përgjithshme se një vit pas luftës në Ukrainë “faktet brutale ofrojnë provë të mjaftueshme se dërgimi i armëve nuk do të sjellë paqe”.
“Ne jemi të gatshëm të vazhdojmë të luajmë rol konstruktiv në krizën në Ukrainë dhe të sjellim paqe sa më shpejt që të jetë e mundur”, shtoi ai.
Fuqitë perëndimore i kanë ofruar Ukrainës armë në vlerë prej miliarda dollarësh që kur Rusia nisi pushtimin e këtij shteti më 24 shkurt 2022.
Shtetet e Bashkuara dhe NATO kanë akuzuar Kinën se po e shqyrton mundësinë që ta furnizojë me armë Rusinë dhe kanë paralajmëruar Pekinin kundër një lëvizjeje të tillë.
Kina ka hedhur poshtë këto akuza dhe ka thënë se SHBA-ja nuk është në pozitë që të parashtrojë kërkesa për Pekinin.
Dai i bëri këto komente në OKB një ditë pasi kryediplomati kinez vizitoi Moskën dhe u zotua për thellim të partneritetit me Rusinë. Kina dhe Rusia kanë njoftuar për partneritet “pa kufi” para se Rusia të pushtonte Ukrainën.
Asambleja e Përgjithshme e OKB-së më vonë gjatë 23 shkurtit pritet të votojë një rezolutë që bën thirrje për “paqe të qëndrueshme” dhe kërkon që Rusia të tërheqë trupat e saj nga Ukraina.