Këtë vit prodhimi i energjisë elektrike do të rritet për 20%
Drejtuesit e Shoqërisë Aksionare Elektrantat e Maqedonisë së Veriut (EMV) planifikojnë që këtë vit të rrisin prodhimin e energjisë elektrike për 20 për qind më shumë krahasuar me vitin e kaluar. Në vitin 2022, prodhimi i energjisë elektrike ishte rritur për 27 për qind në krahasim me vitin paraprak. Drejtori i përgjithshëm i EMV-së, Vasko Kovaçevski, deklaroi se është lënë prapa një vit jashtëzakonisht i vështirë në aspektin energjetik dhe një tjetër vit me sfida të reja është përpara.
Ai deklaroi se në vitin e kaluar EMV-së i është dashur të menaxhojë dy kriza – me rrymë dhe me ngrohje. Kovaçevski vlerëson se misioni është kryer me sukses dhe është siguruar rrymë dhe ngrohje si për qytetarët dhe institucionet, ashtu edhe për ekonominë.
VASKO KOVAÇEVSKI, DREJTOR I PËRGJITHSHËM I EMV-SË
“Po arrijmë të vëmë në funksion të gjitha kapacitetet prodhuese vendase të energjisë elektrike, duke ulur kështu varësinë nga blerja e energjisë elektrike të shtrenjtë. Prodhimi vendas është më i liri dhe prandaj po e rrisim. Përveç kësaj, në kohë krize ne reduktojmë ndjeshëm kostot e prodhimit dhe kostot joproduktive. Kështu arrijmë të mbajmë çmimin e energjisë elektrike më të ulët për qytetarët dhe bizneset e vogla”
Kovaçevski thekson se kompania ka kontrata të qëndrueshme për blerjen e energjisë si dhe për të gjitha nevojat e tjera për procesin e prodhimit.
Krahas krizës aktuale, thekson Kovaçevski, paralelisht po realizohen edhe investime në burimet e ripërtëritshme të energjisë, duke kujtuar se është vënë në funksion termocentrali i parë shtetëror fotovoltaik në Oslomej, ndërsa dy të tjerë po ndërtohen me partnerë privatë nga jashtë. Gjithashtu janë duke u bërë përgatitjet për termocentrale të reja fotovoltaike në REC Manastir, Tikvesh, Mavrovë dhe lokacione të tjera.
Agim Faziu /SHENJA/