Katër gola dhe nuk ka fitues, barazojnë Barca dhe Unitedi

Katër gola dhe nuk ka fitues, barazojnë Barca dhe Unitedi

Ndeshja e parë e fazës së 1/16-tave në Europa League mes Barcelonës dhe Manchester United u mbyll në barazim 2-2. Sfida ishte spektakolare teksa në Camp Nou të dyja skuadrat kërkuan me ngulm suksesin edhe pse në fund u dorëzuan me kualifikimin që tashmë mbetet i hapur për javën e ardhshme në Old Trafford.

Sa i takon pjesës së parë, Barcelona dhuroi shkëndijën e parë të sfidës me anë të Robert Lewandowskit me polakun që i mori kohën mbrojtësit Shaw por në fund u ndal nga ana e portierit David De Gea. Megjithatë, anglezët e morën shpejt situatën në dorë dhe krijuan dy episode me anë të Weghorst dhe Rashford, por që Ter Stegen ia doli në të dyja momentet. Barça u kundërpërgjigj me anë të Jordi Albës, por Wan Bissaka e ndali në fund.

Me rezultatin 0-0 u mbyll pjesa e parë ndërsa fraksioni i dytë, solli emocione të mëdha duke qenë se u shënuan katër gola. Në të 50-tën, vendasit shënuan me anë të Marcos Alonso. Megjithatë, përgjigja e katalanasve ishte e menjëhershme dhe tre minuta më pas barazoi Rashford, ndërsa në të 59-tën ishte sërish sulmuesi i Djajve të Kuq që u bë protagonist.

Këtë herë nuk shënoi por pasi dribloi në mënyrë fantastike Raphinan, pasoi në zonë aty ku Kounde devijoi gabimisht topin në portën e tij. Gjithsesi, Barcelona nuk u dorëzua dhe në minutën e 76-të, Raphinha riktheu sërish ekuilibrat.

Në fund, blaugranat iu afruan edhe golit të avantazhit teksa Casemiro për pak sa nuk shënoi në portën e tij pasi devijoi topin që u përplas në shtyllë. Fati ishte në anën e Manchester United teksa në fund ndeshja u mbyll me rezultatin 2-2, me vëmendjen që tashmë spostohet tek ajo që do të ndodhë në Old Trafford.

Në ndeshjet e tjera, Roma bie në transfertën austriake ndaj Salzburg. Verdhekuqtë patën mundësi të mira shënimi me anë të Abraham dhe Belotti, por në fund dolën të mposhtur pas një goli të Capldos në minutën e 88-të.

Tashmë, në javën e ardhshme, italianët i pret një mision i vështirë për të përmbysur Salzburgun në Olimpico. Ndërkohë, Ajax nuk shkoi më shumë se barazimi pa gola ndaj Unionit të Berlinit ndërsa Shakhtar Donetsk fitoi në shtëpi me rezultatin 2-1 ndaj Rennes.

MARKETING