Kallëzim penal ndaj ish-kryetarit të Strumicës dhe katër personave për ndërtim të paligjshëm dhe shpërdorim detyre

Kallëzim penal ndaj ish-kryetarit të Strumicës dhe katër personave për ndërtim të paligjshëm dhe shpërdorim detyre

Është ngritur kallëzim penal ndaj ish-kryetarit të Komunës së Strumicës, Kostadin Kostadinov, si dhe ndaj disa zyrtarëve komunalë dhe një investitori, lidhur me dyshimet për shkelje ligjore në një projekt ndërtimor.

Sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme, kallëzimi përfshin edhe një udhëheqës të sektorit të planifikimit urban dhe një inspektore, të cilët dyshohet se kanë lejuar rikonstruimin e një objekti që në fakt ka qenë ndërtim i ri, ndonëse në atë lokacion, sipas Planit Detal Urbanistik, nuk ka qenë i paraparë ndërtim.

Autoritetet bëjnë të ditur se investitori ka nisur punimet pa një vendim përfundimtar, ndërsa inspektorja komunale nuk e ka trajtuar rastin si “ndërtim të paligjshëm”, por vetëm si kundërvajtje ndërtimore. Për këtë arsye, ajo përballet me akuzën për “keqpërdorim të pozitës dhe autoritetit zyrtar”.

Ndërkohë, ish-kryetari dhe zyrtarët e tjerë komunalë akuzohen për “punë të pakujdesshme në shërbim”, ndërsa investitori për “ndërtim të paligjshëm”.

Sektori për Punë të Brendshme në Strumicë ka dorëzuar kallëzimin penal në Prokurorinë Publike në Strumicë kundër pesë personave nga ky qytet, ndërsa pritet që rasti të procedohet më tej nga organet kompetente.

MARKETING