Janevska: Me partnerët social duam raporte korrekte, por edhe mësimdhënësit të kenë besim tek ne
Dëshirojmë që me partnerët social të kemi raporte korrekte, por dëshirojmë që edhe mësimdhënësit të kenë besim te ne, tha sonte ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska në lidhje me paralajmërimet e SASHK-ut për protesta, nëse nuk plotësohen kërkesat e tyre për rritje të pagave.
Gjatë pjesëmarrjes në Tv Telma, lidhur me pranimin e SASHK-ut mbi kërkesën e kryetarit të qeverisë për një periudhë shtesë negociuese prej një javësh, tha se ka për çka të diskutohet gjatë kësaj periudhe.
“Tani është shtator. Sot mësimdhënësit do të marrin pagesën që kishin në bazë të marrëveshjes kolektive prej 0.70 për qind. Nëse hyrja e mjeteve për të cilën flet kryeministri, bëhet sipas pritshmërive nga përvoja e muajit të kaluar dhe të këtij muaji, ndoshta do të realizohen disa mjete shtesë që mendojmë se do të mund t’u japim mësimdhënësve si prioritet, megjithëse edhe resorë të tjera kërkojnë gjithashtu. Por duke pasur parasysh se janë një pjesë shumë e rëndësishme e shoqërisë që duhet të edukojnë fëmijët dhe rininë tonë, presim të shohim se çfarë do të ndodhë me mbushjen e Buxhetit që të diskutojmë”, tha ministrja.
Siç përmendi ajo, çështja e dytë që mund të diskutohet për këtë javë është dinamika e rritjes së pagave.
“Duhet të shohim se në çfarë periudhe kohore dhe sa mund të rriten pagat. Sa planifikojmë për gjysmën e parë të vitit 2025, sepse pas ribalancit situata mund të jetë ndryshe, por edhe ajo që do të ndodhë në vitin 2026. Ka elemente që mund të diskutohen dhe ne po i diskutojmë ato elemente, duke dashur që në SASHK-un të kemi partnerë dhe të mos jemi armiq”, shton Janevska.