10 të vrarë dhe 16 të plagosur në trazirat në një burg në Meksikë
Të paktën 10 persona janë vrarë dhe 16 të tjerë janë plagosur në një trazirë që shpërtheu gjatë orarit të vizitave në një burg në shtetin Sinaloa në veriperëndim të Meksikës, transmeton Anadolu.
Sekretariati i Sigurisë Publike i Sinaloas tha se trazirat shpërthyen gjatë orarit të vizitave në burgun që ndodhet në qytetin e Mazatlanit.
Sipas sekretariatit, nëntë të burgosur dhe një familjar i një të burgosuri u vranë, ndërsa 16 të burgosurit e plagosur po marrin trajtim mjekësor në spitale.
Sipas raportimeve të mediave lokale, të burgosurit përdorën armë zjarri.
Autoritetet ende nuk kanë publikuar hollësi të mëtejshme lidhur me incidentin.
Kabineti Federal i Sigurisë i Meksikës tha se Garda Kombëtare ndërhyri dhe se situata në burg, ku mbahen 1.800 të burgosur, është “vënë nën kontroll”.
Dhuna është e përhapur në burgjet e Meksikës, shumë prej të cilave janë të mbipopulluara dhe nën ndikimin e bandave të drogës.

