Jakup Huseini: Bërvenica meriton më shumë, bashkë mund ta çojmë përpara
Kandidati i VLEN-it për kryetar të Komunës së Bërvenicës, Jakup Huseini, në tubimin përmbyllës të fushatës për zgjedhjet lokale të 18 tetorit, kërkoi besimin e qytetarëve për realizimin e programit të tij zhvillimor, duke premtuar një komunë më efikase, transparente dhe në shërbim të të gjithë banorëve.
Huseini theksoi se programi i tij është ndërtuar mbi kërkesat dhe shqetësimet e qytetarëve, duke u zotuar për një qeverisje të hapur, pa dallime dhe përjashtime.
“Kam dëgjuar më shumë sesa kam folur. Kam pyetur më shumë sesa kam premtuar”, deklaroi ai, duke theksuar se asnjë problem dhe asnjë kërkesë e qytetarëve nuk do të anashkalohet.
Ndër prioritetet e tij, Huseini veçoi përmirësimin e infrastrukturës dhe shërbimeve publike, nxitjen e investimeve dhe krijimin e më shumë mundësive për të rinjtë dhe familjet.
Ai vlerësoi gjithashtu rëndësinë e bashkëpunimit me pushtetin qendror dhe mbështetjen institucionale të VLEN-it për realizimin e projekteve konkrete.
“Unë nuk kërkoj vetëm një mandat. Kërkoj mundësinë që, së bashku me ju, ta kthejmë planin në projekte dhe premtimet në rezultate konkrete”, u shpreh Huseini.

