SHBA vendos kufizime të përkohshme për fluturimet e dronëve përgjatë kufirit jugor

SHBA vendos kufizime të përkohshme për fluturimet e dronëve përgjatë kufirit jugor

Departamentet amerikane të Transportit, Mbrojtjes dhe Sigurisë Kombëtare kanë njoftuar një nismë të koordinuar për forcimin e sigurisë së hapësirës ajrore përgjatë kufirit SHBA-Meksikë, duke vendosur kufizime të përkohshme për fluturimet e paautorizuara të dronëve, transmeton Anadolu.

MARKETING

Shik.mk

Kufizimi i përkohshëm i fluturimeve (TFR), i cili hyn në fuqi sot, do të ndalojë çdo aktivitet të paautorizuar të dronëve deri në lartësinë 400 këmbë (122 metra) mbi nivelin e tokës. Kufizimi do të shtrihet një milje detare (1.9 kilometra) në veri të kufirit mes SHBA-së dhe Meksikës.

Sipas deklaratës, masa e re synon të zvogëlojë rreziqet për operacionet e sigurisë kufitare, të mbrojë personelin dhe objektet federale, si dhe të kundërshtojë ato që administrata amerikane i cilëson si kërcënime nga kartelet e drogës dhe aktivitetet e tjera të paligjshme.

Sekretari amerikan i Transportit, Sean P. Duffy, tha se kjo masë mbështetet në përpjekjet e presidentit Donald Trump për të forcuar sigurinë kufitare dhe për t’iu kundërvënë kërcënimeve që lidhen me dronët.

Sekretari i Mbrojtjes, Pete Hegseth, tha se kufizimet do t’u mundësojnë komandantëve ushtarakë të kenë një pasqyrë më të qartë të kërcënimeve të mundshme dhe më shumë mundësi për t’iu përgjigjur aktivitetit të dronëve.

“Qeveria e SHBA-së do të ruajë kontrollin e plotë operacional mbi kufirin tonë, atë tokësor, ajror dhe detar”, tha Hegseth.

Sekretari i Sigurisë Kombëtare, Markwayne Mullin, tha se nisma do të mbështesë përpjekjet e administratës për sigurinë kufitare dhe do të ndihmojë në mbrojtjen e personelit federal, duke iu kundërvënë njëkohësisht kërcënimeve nga dronët.

“Ky veprim do të ndihmojë në kundërshtimin e kërcënimeve nga dronët e karteleve, në mbrojtjen e personelit tonë dhe në forcimin e sigurisë së hapësirës ajrore mbi kufi”, tha Mullin.

MARKETING