Izraeli pretendon se ka vrarë një komandant të lartë të Hamasit në Gaza
Ushtria izraelite deklaroi sot se ka vrarë një komandant të lartë të Hamasit në një sulm të kryer në Gaza në fillim të kësaj jave, transmeton Anadolu.
“Imad Hassan Hussein Aslim ishte zëvendëskomandanti i Brigadës së qytetit të Gazës”, tha ushtria në një deklaratë.
Ai gjithashtu shërbente si komandant i Batalionit Zeitoun të Brigadave Qassam, krahut ushtarak të Hamasit, shtoi ushtria. Autoritetet ushtarake izraelite pretendojnë se Aslim mori pjesë në sulmin e 7 tetorit 2023.
Sulmi që vrau Aslimin shënjestroi edhe një tjetër komandant të Hamasit, emrin e të cilit ushtria nuk e bëri të ditur. Deri më tani nuk ka patur asnjë koment të menjëhershëm nga Hamasi apo Brigadat Qassam lidhur me këtë pretendim të Izraelit.
Të mërkurën, Hamasi njoftoi vrasjen e Mohammed Awda-s, një komandant i lartë i Brigadave Qassam, nga një sulm izraelit në një ndërtesë banimi në qytetin e Gazës, ku mbetën të vrarë gjithashtu bashkëshortja dhe dy fëmijët e tij.
Pretendimi i fundit i Izraelit vjen mes shkeljeve të vazhdueshme të armëpushimit që hyri në fuqi tetorin e kaluar. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza, 922 palestinezë janë vrarë dhe 2.786 të tjerë janë plagosur nga shkeljet e armëpushimit që nga ajo kohë.
Marrëveshja për armëpushim u arrit pas dy vitesh luftë në Gaza. Sipas autoriteteve palestineze, konflikti ka vrarë më shumë se 72 mijë palestinezë dhe ka plagosur mbi 172 mijë të tjerë, duke shkaktuar gjithashtu shkatërrim të gjerë në mbarë enklavën.

