Izraeli do të ndërtojë qendër të trashëgimisë hebraike në aeroportin e braktisur palestinez në Kudsin Lindor

Izraeli do të ndërtojë qendër të trashëgimisë hebraike në aeroportin e braktisur palestinez në Kudsin Lindor

Qeveria izraelite pritet të miratojë javën e ardhshme ndërtimin e një qendre të trashëgimisë hebraike në territorin e aeroportit të braktisur ndërkombëtar të Kudsit, në Kudsin Lindor të pushtuar, transmeton Anadolu.

Transmetuesi izraelit “Channel 7” raportoi se qeveria do të mblidhet javën e ardhshme për të miratuar një propozim të ministrit të Trashëgimisë, Amichai Eliyahu, për ngritjen e qendrës në pjesën veriore të qytetit.

Para pushtimit izraelit të Bregut Perëndimor dhe Kudsit Lindor në vitin 1967, Aeroporti Ndërkombëtar i Kudsit shërbente si aeroporti i vetëm në territor. Izraeli më pas e konfiskoi aeroportin, e shndërroi në një aeroport të kufizuar për fluturime të brendshme dhe më pas në vitin 2000 e mbylli plotësisht.

Aeroporti u themelua në vitin 1920 ndërsa autoritetet e Mandatit Britanik filluan ta përdornin në vitin 1924. Ai u hap zyrtarisht për fluturime të rregullta në vitin 1936.

Sipas transmetuesit izraelit, ndërtesat e braktisura të aeroportit, përfshirë terminali historik i pasagjerëve, do të restaurohen dhe do të shndërrohen në një qendër trashëgimie që do të nxjerrë në pah rolin e Kudsit në transportin ajror rajonal.

Raporti thotë se projekti do të kushtojë 3 milionë shekelë (rreth 1 milion dollarë), të financuara nga buxheti i miratuar i Ministrisë së Trashëgimisë për vitin 2026. Më parë, qeveria izraelite ka miratuar plane për ngritjen e një vendbanimi të paligjshëm me 9.000 njësi banimi në tokën e aeroportit.

Palestinezët thonë se Izraeli ka intensifikuar për dekada përpjekjet, veçanërisht përmes zgjerimit të vendbanimeve dhe politikave të zhvendosjes, për të judaizuar Kudsin Lindor të pushtuar dhe për të fshirë identitetin e tij arab dhe islam.

Komuniteti ndërkombëtar dhe OKB-ja e konsiderojnë Bregun Perëndimor, përfshirë Kudsin Lindor, territor palestinez të pushtuar dhe i shohin vendbanimet izraelite atje si të paligjshme sipas të drejtës ndërkombëtare.

MARKETING