Izraeli arreston Myftiun e Madh të Kudsit, i ndalon hyrjen në Xhaminë Al-Aksa për një javë
Autoritetet izraelite të premten ndaluan Myftiun e Madh të Kudsit, Sheikh Mohammed Hussein, të hyjë në kompleksin e Xhamisë Al-Aksa për një javë, pasi e arrestuan pas namazit të xhumasë, njoftoi Zyra e Guvernatorit të Kudsit, transmeton Anadolu.
Në një deklaratë, zyra tha se forcat izraelite e ndaluan Husseinin pasi ai mbajti hutben e xhumasë dhe udhëhoqi faljen në Xhaminë Al-Aksa në Kudsin Lindor të pushtuar.
Sipas deklaratës, autoritetet më pas e liruan myftiun e madh, duke i dorëzuar një urdhër që i ndalon hyrjen në kompleksin e xhamisë për një javë.
Policia izraelite nuk bëri koment të menjëhershëm për rastin. Autoritetet izraelite kanë vendosur ndalesa të ngjashme edhe ndaj imamëve të Al-Aksasë në vitet e fundit.
Më herët të premten, dhjetëra mijëra palestinezë falën namazin e xhumasë në kompleksin e Xhamisë Al-Aksa.
Masa e fundit vjen në një kohë të përshkallëzimit të veprimeve izraelite në këtë vend të shenjtë. Në një raport të publikuar të dielën, Ministria palestineze e Vakëfeve dhe Çështjeve Fetare tha se forcat izraelite kanë kryer 26 inkursione në kompleksin e Xhamisë Al-Aksa gjatë muajit qershor.
Sipas ministrisë, 4.212 izraelitë kanë hyrë në kompleksin e xhamisë përmes Portës Mughrabi gjatë orareve të vizitave në mëngjes dhe pasdite, nën mbrojtjen e forcave izraelite.

