Italia megaoperacion kundër trafikut, mbi 1.300 të arrestuar dhe qindra kilogramë drogë e sekuestruar

Italia megaoperacion kundër trafikut, mbi 1.300 të arrestuar dhe qindra kilogramë drogë e sekuestruar

Një operacion i gjerë kundër trafikut të drogës, i zhvilluar në të gjithë territorin italian, ka çuar në arrestimin e 1.335 personave dhe sekuestrimin e më shumë se 450 kilogramëve lëndë narkotike.

Operacioni, i koordinuar nga Shërbimi Qendror Operativ i Policisë Italiane, përfshiu skuadrat e hetimit kriminal, repartet e parandalimit të krimit dhe dhjetëra struktura policore në qytete të ndryshme të vendit. Autoritetet e cilësuan ndërhyrjen si një nga aksionet më të mëdha të viteve të fundit kundër krimit të organizuar dhe trafikut të narkotikëve.

Shifrat e operacionit janë të konsiderueshme. Gjatë kontrolleve u identifikuan gjithsej 297.071 persona, mes tyre 15.665 të mitur. Në përfundim të aksionit u arrestuan 1.335 persona, përfshirë 31 të mitur, ndërsa 2.358 të tjerë u proceduan penalisht në gjendje të lirë. Nga këta, 142 janë të mitur.

Forcat e rendit sekuestruan mbi 450 kilogramë drogë, përfshirë 48 kilogramë kokainë, 379 kilogramë kanabis dhe derivatet e tij, si dhe 7 kilogramë heroinë.

Operacioni nuk u kufizua vetëm në luftën kundër narkotikëve. Një pjesë e rëndësishme e kontrolleve kishte në fokus edhe armëmbajtjen pa leje. Gjatë aksioneve u sekuestruan 111 armë zjarri, mes tyre pushkë me tytë të gjatë, një pushkë sulmi, armë lufte, një jelek antiplumb dhe sasi të mëdha municionesh.

Policia gjeti gjithashtu rreth 250 armë të ftohta, përfshirë thika, bokse metalike, pajisje elektrike paralizuese (taser), shkopinj teleskopikë, hobe, maçokë, shpata dhe sëpata.

Në Trieste, kontrollet u përqendruan kryesisht në zonat e jetës së natës dhe në sheshet kryesore të qytetit. Autoritetet kontrolluan 10.379 persona, mes tyre 585 të mitur. Shtatë persona u arrestuan, ndërsa 91 të tjerë u denoncuan në gjendje të lirë, përfshirë tre të mitur.

Gjatë operacioneve në këtë qytet u sekuestruan afro 34 gramë hashash, dy thika, një karikator pistolete me ajër të kompresuar, dy shkopinj bejsbolli dhe tre shkopinj të tjerë.

Në provincën e Sondrios, skuadra mobile e policisë, në bashkëpunim me Repartin e Parandalimit të Krimit nga Milano, identifikoi 238 persona, 50 prej të cilëve rezultuan me precedentë penalë. Gjithashtu u kontrolluan 62 automjete dhe 10 aktivitete tregtare.

Ndërkohë, në Belluno u identifikuan 161 persona, mes tyre 46 të mitur. Gjatë një kontrolli në një institucion arsimor në Longarone, policia gjeti një cigare me marijuanë, ndërsa sasi të vogla të së njëjtës lëndë narkotike u zbuluan edhe në një lokal të zonës.

Kontrolle të zgjeruara u zhvilluan gjithashtu në sallat e lojërave të fatit dhe në struktura të ndryshme akomoduese në Belluno, Feltre dhe Setteville.

Autoritetet italiane theksojnë se operacione të tilla do të vazhdojnë edhe në muajt e ardhshëm, me qëllim goditjen e rrjeteve të trafikut të drogës, armëmbajtjes së paligjshme dhe aktiviteteve të tjera kriminale në të gjithë vendin.

MARKETING