Isnik Alimi transferohet në Kinë te Dalian Yingbo
Mesfushori i përfaqësueses së Maqedonisë së Veriut, Isnik Alimi, ka përfunduar transferimin e tij te klubi kinez Dalian Yingbo FC, duke mbyllur kështu aventurën e tij me skuadrën rumune Sepsi OSK. Lojtari 30-vjeçar pritet të nënshkruajë një kontratë dyvjeçare me ekipin e ri, ndërsa zyrtarizimi pritet të ndodhë së shpejti.
Klubi i tij i mëparshëm, Sepsi, përmes një postimi zyrtar ka falënderuar Alimin për angazhimin e tij gjatë periudhës që luajti në Rumaninë, ku ishte transferuar në verën e vitit 2023. Në deklaratën e klubit thuhej:
“Një ndryshim tjetër në ekipin tonë: Isnik Alimi, i cili nënshkroi me Dalian Yingbo FC në Kinë, gjithashtu largohet nga Sepsi OSK. Mesfushori 30-vjeçar erdhi në Sepsiszentgyörgy në verën e vitit 2023. Me këtë rast, duam t’i falënderojmë për përpjekjet e tij për klubin dhe i urojmë shumë sukses në karrierën e tij të ardhshme!”
Ky transferim shënon një hap të ri në karrierën e Alimit, i cili tashmë do të vazhdojë rrugëtimin e tij në Superligën kineze, duke u bërë pjesë e një klubi me ambicie të reja. Përfaqësuesi i Maqedonisë së Veriut vlerësohet për eksperiencën dhe cilësitë e tij, të cilat pritet t’i sjellë në nivelin e futbollit aziatik.