ISHP: Ujërat e zeza e ndotin Liqenin e Ohrit

ISHP: Ujërat e zeza e ndotin Liqenin e Ohrit

Një numër i konsiderueshëm hotelesh, objektesh hotelierike dhe vendbanimesh përgjatë bregut të Liqenit të Ohrit vazhdojnë të paraqesin rrezik potencial ose të drejtpërdrejtë për ndotjen e ujërave të liqenit, vlerëson Instituti i Shëndetit Publik (IShP) në raportin më të fundit për cilësinë dhe sigurinë e ujërave sipërfaqësore për larje rekreative.

Sipas raportit, edhe pse sistemi kolektor për mbledhjen dhe trajtimin e ujërave të zeza nga Ohri dhe Struga ka përmirësuar ndjeshëm menaxhimin e ujërave të ndotura, ende ekzistojnë objekte të ndërtuara vitet e fundit që nuk janë të lidhura me këtë rrjet.

Në këtë kategori përfshihen hotele dhe komplekse turistike përgjatë zonës nga Hotel “Desaret” deri në Shën Naum, si dhe objekte të tjera përgjatë bregut nga Struga deri në fshatin Radozhdë.

Raporti i IShP-së thekson se një pjesë e shtëpive private në zonat e Saraishtes, Kaneos, pranë kishës “Shën Sofia”, si dhe në vendbanimet Trpejcë, Ljubanishtë dhe Radozhdë, vazhdojnë të përdorin gropa septike për menaxhimin e ujërave të zeza.

Në disa raste, këto gropa zbrazen përmes shërbimeve komunale, por në zonën e Radozhdës është evidentuar se një pjesë e ujërave të zeza derdhen drejtpërdrejt në liqen, duke shkaktuar ndotje të drejtpërdrejtë.

IShP paralajmëron gjithashtu për rrezikun nga lidhjet e paligjshme të ujërave të zeza me sistemet për shkarkimin e ujërave atmosferike. Sipas raportit, në disa raste në këto tubacione janë lidhur edhe ujërat e zeza nga objektet kolektive dhe shtëpitë private.

Si burime të mundshme ndotjeje përmenden edhe pishinat e hoteleve dhe Pishina e Qytetit, ndërsa probleme janë evidentuar edhe në sistemin lokal të kanalizimit në Shën Naum.

Edhe pse në këtë zonë ekziston një sistem i ndërtuar në vitin 2013, ai nuk funksionon me kapacitet të plotë. Trajtimi i ujërave të zeza kryhet vetëm përmes thërrmimit, pa filtrim dhe pa proces klorimi para shkarkimit në liqen.

Megjithatë, rezultatet nga analizat laboratorike të kryera nga 20 maji deri më 24 qershor 2026 tregojnë se cilësia e ujit në pjesën më të madhe të Liqenit të Ohrit vazhdon të jetë brenda standardeve ligjore.

Sipas parametrave fiziko-kimikë, pjesa më e madhe e mostrave është klasifikuar në klasën e parë të cilësisë, me përjashtim të pikës matëse në plazhin Grashnicë, ku është regjistruar cilësia e klasës së tretë.

Në aspektin mikrobiologjik, shumica e mostrave janë vlerësuar me notën “Shkëlqyeshëm”. Ndërkohë, në plazhin pranë Hotelit “Royal”, në Labino dhe në kanalin Studençishtë, cilësia e ujit është vlerësuar si “Mirë”.

Pika matëse në Grashnicë mbetet problematike, pasi mostra e analizuar nuk ka përmbushur kriteret për vlerësimin “Shkëlqyeshëm” ose “Mirë” sipas standardeve mikrobiologjike.

MARKETING