Irani sulmon bazat amerikane në Kuvajt dhe Bahrein pas sulmeve me dronë në territorin iranian
Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike të Iranit (IRGC) njoftoi se ka goditur “baza armike” në Kuvajt dhe Bahrejn pasi dronë amerikanë sulmuan objektiva në territorin iranian, raportoi të shtunën agjencia Tasnim, transmeton Anadolu.
Sipas agjencisë gjysmëzyrtare të lajmeve, Forca Hapësinore e IRGC-së goditi me raketa balistike bazën ajrore Ali al-Salem në Kuvajt dhe objekte kyç të Flotës së Pestë të Marinës amerikane në Bahrejn.
IRGC-ja tha se sulmet erdhën si përgjigje ndaj sulmeve me dronë amerikanë ndaj një kulle telekomunikacioni në ishullin Qeshm dhe një kulle në Sirik.
Ajo paralajmëroi se çdo agresion i mëtejshëm do të sjellë përgjigje që do të shkojë përtej sulmeve të kufizuara, përfshirë mbylljen e plotë të Ngushticës së Hormuzit për transportin e naftës dhe gazit, gjë që ka tronditur tregjet globale të energjisë dhe ka ngritur shqetësime për dëme të zgjatura ekonomike.
Tensionet rajonale janë përshkallëzuar pasi SHBA-ja dhe Izraeli nisën sulme ajrore ndaj Iranit në fund të shkurtit, duke shkaktuar një cikël sulmesh hakmarrëse që zgjeroi paqëndrueshmërinë në rajon.
Në kundërpërgjigje, Irani më pas kreu sulme ndaj Izraelit dhe shënjestroi vende që strehojnë baza ushtarake amerikane, ndërsa gjithashtu pengoi lundrimin përmes Ngushticës së Hormuzit, një rrugë jetike për furnizimet globale me energji.
Më vonë hyri në fuqi një armëpushim, megjithëse përpjekjet diplomatike për të siguruar një marrëveshje më të gjerë kanë vazhduar.

