Irani: Një cisternë nafte mori flakë pasi goditi mina detare pranë portit Khasab të Omanit

Irani: Një cisternë nafte mori flakë pasi goditi mina detare pranë portit Khasab të Omanit

Marina e Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike të Iranit (IRGC) ka njoftuar se një cisternë nafte shpërtheu dhe mori flakë pasi goditi mina detare pranë portit Khasab të Omanit, ndërsa po përpiqej të kalonte Ngushticën e Hormuzit përmes një rruge të paautorizuar, transmeton Anadolu.

Sipas transmetuesit shtetëror iranian IRIB, IRGC-ja tha se cisterna ishte “në shkelje” të rregullave të lundrimit dhe kishte tentuar të kalonte përmes një “rruge të paautorizuar, me mbështetjen e ushtrisë amerikane”, kur goditi minat.

“Anija më pas shpërtheu dhe mori flakë”, tha IRGC-ja, duke shtuar se pamjet e incidentit do të publikohen më vonë.

Ajo paralajmëroi se lëvizjet e anijeve në Ngushticën e Hormuzit dhe në Gjirin Persik po monitoroheshin, ndërsa fajësoi për incidentin mos respektimin e rregullave të lundrimit nga ana e cisternës.

Ndërkohë, Agjencia e Operacioneve të Tregtisë Detare të Mbretërisë së Bashkuar (UKMTO) tha se kishte marrë një njoftim për një cisternë që ishte goditur rreth tetë milje detare në veri të Khasabit, në Oman, rreth orës 15:00 GMT.

“Një cisternë që po largohej përmes Ngushticës së Hormuzit është goditur në pjesën e përparme të anës së majtë nga një objekt i panjohur”, njoftoi UKMTO.

Sipas agjencisë, oficeri i sigurisë së kompanisë që zotëron anijen raportoi për zjarr në bord, por nuk u raportuan viktima apo dëme mjedisore.

Autoritetet po hetonin incidentin, ndërsa anijeve në zonë iu rekomandua të tregoheshin të kujdesshme dhe të raportonin çdo aktivitet të dyshimtë.

SHBA-ja dhe Izraeli nisën një luftë kundër Iranit më 28 shkurt, duke e nxitur Teheranin të kundërpërgjigjej me sulme ndaj Izraelit dhe objekteve ushtarake amerikane në vendet arabe.

Washingtoni dhe Teherani nënshkruan një memorandum mirëkuptimi në qershor dhe nisën negociatat, të cilat më vonë ngecën për shkak të mosmarrëveshjeve lidhur me garantimin e lundrimit të sigurt dhe të lirë në Ngushticën e Hormuzit.

Përleshjet mes SHBA-së dhe Iranit kanë shpërthyer herë pas here që nga korriku, pavarësisht përpjekjeve të vazhdueshme diplomatike për t’i dhënë fund luftës.

MARKETING