Irani: 50 për qind e aseteve të ngrira duhet të lirohen në marrëveshjen e mundshme me SHBA-në

Irani: 50 për qind e aseteve të ngrira duhet të lirohen në marrëveshjen e mundshme me SHBA-në

Një zyrtar i lartë i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Iranit ka deklaruar se të paktën 50 për qind e aseteve të ngrira të Teheranit duhet të lirohen menjëherë pas nënshkrimit të një memorandumi të mundshëm mirëkuptimi me SHBA-në, transmeton Anadolu.

Kazem Gharibabadi, zv/ministër i Punëve të Jashtme për çështjet ligjore dhe ndërkombëtare, sipas agjencisë gjysmëzyrtare iraniane të lajmeve Mehr, tha se po shqyrtohen mekanizma të ndryshëm për të siguruar qasjen e Teheranit në fondet e bllokuara në kuadër të një mirëkuptimi të mundshëm me Washingtonin.

“Minimumi, Republika Islamike e Iranit këmbëngul që 50 për qind e këtyre fondeve të vihen menjëherë në dispozicion të Iranit pas nënshkrimit të memorandumit të mirëkuptimit”, tha Gharibabadi.

Ai shtoi se pjesa e mbetur e fondeve duhet të lirohet brenda një periudhe që Teherani e konsideron të arsyeshme, “jo më shumë se një ose dy muaj”.

Gharibabadi tha se Irani do ta konsiderojë një tekst përfundimtar vetëm kur interesat e tij të pasqyrohen plotësisht, përfshirë atë që ai e quajti përfundimin e menjëhershëm dhe të përhershëm të luftës në të gjitha frontet, përfshirë Libanin.

Ai tha se një tjetër çështje kyçe është heqja e asaj që Teherani e përshkruan si një bllokadë detare.

Zyrtari iranian tha se Katari mund të luajë një rol në lehtësimin e qasjes së Iranit në asetet e ngrira përmes mekanizmave alternativë, ndërkohë që Washingtoni ndërmerr hapa për të hequr kufizimet ndaj këtyre fondeve.

Ai theksoi se çdo mekanizëm alternativ nuk do ta hiqte përgjegjësinë e SHBA-së për lirimin e aseteve të bllokuara të Iranit sipas draftit të mirëkuptimit.

Sipas Gharibabadit, drafti actual, i cili ende nuk është finalizuar, kërkon që SHBA-ja të lirojë të gjitha burimet financiare të ngrira të Iranit në përputhje me ecurinë e negociatave. Ai tha se ky proces nuk duhet të zgjasë më shumë se 60 ditë.

Ai shtoi se heqja e të gjitha sanksioneve të njëanshme amerikane, përfshirë sanksionet primare dhe sekondare, si dhe normalizimi i statusit të Iranit në Këshillin e Sigurimit të OKB-së dhe në Bordin e Guvernatorëve të Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike, janë ndër kërkesat kryesore të Teheranit.

Tensionet rajonale janë përshkallëzuar që nga fundi i shkurtit, pasi SHBA-ja dhe Izraeli ndërmorën sulme ndaj Iranit. Një armëpushim i ndërmjetësuar nga Pakistani hyri në fuqi më 8 prill, ndërsa kontaktet indirekte për një marrëveshje më të gjerë kanë vazhduar.

MARKETING