Ia pa “sherrin” gjuhës, Mourinho gjobitet me afro 25 mijë euro
Jose Mourinho, një deklaratë e tij e pashembullt dhe plot nerva, e drejtuar ndaj arbitrit të VAR-it Atilla Karaoglan pas fitores së Fenerbahçes ndaj Trabzonspor, e ka futur në telashe.
Në një ndeshje të mbushur me kontestime, Fenerbahçe arriti të sigurojë fitoren me një gol të Sofyan Amrabat në minutën e 12-të të kohës shtesë. Pavarësisht triumfit, Mourinho nuk ishte aspak i kënaqur, duke argumentuar se VAR-i kishte luajtur një rol të tepërt në favor të Trabzonspor, veçanërisht përmes dy penalltive të kontestueshme të dhëna për ekipin vendas.
“Sot, njeriu i ndeshjes ishte [arbitri i VAR-it] Atilla Karaoglan. Nuk e pamë atë, por ai ishte arbitri i ndeshjes,” tha Mourinho. Duke folur në emër të gjithë klubit, ai shtoi: “Ne nuk e duam atë më. Nuk e duam, sepse ka një erë të keqe. Nuk e duam. Nuk e duam në fushë, por as në VAR më shumë.”
Kritikat e Mourinhos nuk u kufizuan vetëm në vendimet individuale, por ai akuzoi të gjithë sistemin e arbitrazhit për paragjykim dhe theksoi vështirësitë që krijon një situatë e tillë për ekipet. Ai tha: “Ne luajmë kundër një sistemi. Dhe të luash kundër një sistemi është gjëja më e vështirë.”, shkruan Goal.com.
Komentet e pafrenuara të Mourinhos nuk kaluan pa u vënë re, duke çuar Federatën e Futbollit të Turqisë (TFF) të reagojë me një gjobë të konsiderueshme dhe sanksione të tjera. Të enjten, federata publikoi një deklaratë duke dënuar fjalët e Mourinhos, duke argumentuar se ato ishin dëmtuese për integritetin e futbollit turk.
Deklarata e TFF-së thoshte: “Në intervistën e pas ndeshjes dhe konferencën e shtypit, duke i vlerësuar si një tërësi, deklaratat në fjalë janë në kundërshtim me etikën sportive, ose me konceptin e fair play-t, dëmtojnë reputacionin e TFF-së, kanë për qëllim të zvogëlojnë vlerën e futbollit turk, hedhin hije mbi paanshmërinë e arbitrave dhe të gjithë personave të tjerë të ndeshjes dhe, për këtë arsye, janë dënuar me një gjobë diskrecionale prej 900,000 TL (24 mijë e 300 euro) në përputhje me Nenorin 38/4-a të FDT për Deklarata Antishportive.”