I rikthehen profesionit! Osmani në Klinikë, Grubi profesor i gazetarisë Gërkovska në MPB, Mariçiq dhe Shaqiri kërkojnë apanazh
Ish-ministrat në Qeverinë e Dimitar Kovaçevskit, Bujar Osmani, Artan Grubi, Sllavica Gërkovska, Risto Penov, Azir Aliu dhe Kaja Shukova nuk do të kërkojnë apanazh dhe do të kthehen në vendet e mëparshme të punës.
Bojan Mariçiq dhe Jeton Shaqiri tashmë kanë dorëzuar kërkesa për apanazh, ndërsa ministra të tjerë nga kabineti i ish-kryeministrit Dimitar Kovaçevski tashmë janë deputetë ose kanë dalë në pension.
Ish-ministrat Fatmir Besimi, Krenar Lloga dhe Kreshnik Bekteshi ende nuk janë deklaruar nëse do të kërkojnë apanazh.
Grubi do t’i rikthehet profesionit të tij të vjetër në Universitetin e Tetovës si profesor i gazetarisë, ndërsa bashkëpartiaku i tij Bujar Osmani, do të kthehet në Klinikën e Kirurgjisë Digjestive, shkruan Tv24.
Gërkovska kthehet në postin e saj në MPB, Shukova mbetet e punësuar në Ministrinë e Mjedisit Jetësor, ndërsa Penov dhe Aliu në biznes privat.
Për rreth 40 ish-zyrtarë deri më tani janë miratuar apanazhe, prej të cilëve 36 ish-deputetë. Kjo do të thotë se këta zyrtarë në 12 muajt e ardhshëm do të marrin të njëjtën pagë që kanë marrë si ministra, deputetë, drejtorë të ndërmarrjeve publike, ndërsa kjo pagë është nga 1500 deri në 2000 euro në muaj.
Pothuajse të gjithë ish-ministrat e LSDM-së, Oliver Spasovski, Bllagoj Boçvarski, Jovanka Trençevska, Ljupço Nikollovski, Fatmir Bytyqi, Sllavjanka Petrovska dhe ish-drejtoresha e Drejtorisë për të Ardhura Publike Sanja Lukarevska, së bashku me Kovaçevskin janë bërë deputetë në përbërjen e re parlamentare.