Haraçina nis ndërtimin e Qendrës Sportive, Beqiri: Po realizojmë një ëndërr të kahershme

Haraçina nis ndërtimin e Qendrës Sportive, Beqiri: Po realizojmë një ëndërr të kahershme

Komuna e Haraçinës ka nisur realizimin e një prej projekteve më të rëndësishme dhe më të kërkuara nga qytetarët – ndërtimin e Qendrës Sportive. Lajmin e ka bërë të ditur kryetari i komunës, Daut Beqiri, i cili njoftoi se punimet tashmë kanë filluar, duke e cilësuar këtë investim si një hap të rëndësishëm për zhvillimin e sportit dhe krijimin e kushteve më të mira për të rinjtë.

Sipas Beqirit, faza e parë e projektit përfshin ndërtimin e stadiumit stërvitor, ndërsa në fazën e ardhshme do të ndërtohet edhe stadiumi për zhvillimin e ndeshjeve.

“Qendra Sportive e Haraçinës po bëhet realitet. Ky është një projekt i shumëpritur dhe një nga kërkesat më të mëdha të sportdashësve, të rinisë dhe të gjithë banorëve tanë”, deklaroi Beqiri.

Ai theksoi se pas shumë vitesh pritjeje, më në fund po hidhen themelet e një infrastrukture moderne sportive, e cila do t’i shërbejë brezave të rinj dhe komunitetit në tërësi.

“Punimet kanë nisur me stadiumin stërvitor, që përbën fazën e parë të realizimit të Qendrës Sportive. Në vazhdim do të ndërtohet edhe stadiumi për zhvillimin e ndeshjeve, duke i dhënë Haraçinës një hapësirë moderne dhe funksionale për sport”, u shpreh ai.

Kryetari i komunës vlerësoi se ky projekt nuk është vetëm një investim në infrastrukturë, por edhe përmbushja e një kërkese të kahershme të banorëve.

“Sot nuk po flasim vetëm për një projekt, por po realizojmë një ëndërr të shumëpritur të haraçinasve. Haraçina meriton më të mirën”, tha Beqiri.

Qendra e re sportive pritet të krijojë kushte më cilësore për zhvillimin e aktiviteteve sportive, angazhimin e të rinjve dhe promovimin e talenteve lokale, duke shënuar një investim me rëndësi për të ardhmen e komunës.

MARKETING