Gruevski pyes ministrin Fillkov: Kush është në pushtet në Maqedoni?
Ish-kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Nikola Gruevski, i cili ka fituar azil në Hungari, ka reaguar përmes një postimi të gjatë në Facebook ndaj ministrit të Drejtësisë, Igor Filkov, lidhur me deklaratat për mundësinë e ekstradimit të tij.
Në reagimin e tij, Gruevski ngre pyetjen kryesore: “Kush është në pushtet në Maqedoni?”, duke theksuar se veprimet aktuale i ngjajnë, sipas tij, politikave të qeverisë së mëparshme. Ai pretendon se praktikat e kohës së Zoran Zaev dhe SDSM ende vazhdojnë.
Duke mohuar të gjitha akuzat ndaj tij, ish-kryeministri i bëri thirrje ministrit që të hetojë, siç tha ai, abuzimet dhe ndjekjet politike gjatë qeverisjes së kaluar. Ai përsëriti qëndrimin e tij se proceset gjyqësore kundër tij janë të montuara dhe të motivuara politikisht.
Në postim, Gruevski përmendi disa nga rastet më të njohura ndaj tij, përfshirë atë të automjetit “Mercedes”, çështjet për prona dhe projektin e autostradës Kërçovë-Ohër, duke i cilësuar akuzat si të pabazuara.
Ai shtoi se, sipas tij, një ditë sistemi gjyqësor në vend do të vlerësohet ndryshe edhe nga Bashkimi Evropian, ndërsa në fund i bëri thirrje ministrit të veprojë në përputhje me ligjin dhe ndërgjegjen, duke mos u bërë pjesë e asaj që e quajti “lojë e pistë nga e kaluara”.

