Gostivari drejt normalizimit, uji lejohet vetëm për përdorim teknik
Komuna e Gostivarit ka njoftuar se uji nga rrjeti i ujësjellësit në qytet mund të përdoret për qëllime teknike, ndërsa vazhdojnë punimet për sigurimin e ujit të pijshëm. Sipas njoftimit, shtabet e krizës në nivel lokal dhe qendror po funksionojnë dhe institucionet kompetente po ndërmarrin masa për normalizimin e plotë të situatës.
“Uji në Gostivar mund të përdoret për qëllime teknike Komuna e Gostivarit i informon qytetarët se situata në qytet po shkon drejt normalizimit të plotë. Falë angazhimit të institucioneve në nivel lokal dhe qendror, organizatave, miqve dhe të gjitha palëve të përfshira, të cilëve u shprehim mirënjohjen tonë për shkallën e lartë të gatishmërisë dhe angazhimit që kanë treguar. Shtabet e krizës, në nivel qendror dhe lokal, funksionojnë në mënyrë efikase dhe në përputhje me planin për sanimin e situatës. Institucionet kompetente po ndërmarrin të gjitha masat e nevojshme për normalizimin e plotë të situatës dhe sigurimin e kushteve të sigurta për qytetarët. Siç u bë e ditur sot, uji nga rrjeti i ujësjellësit në Gostivar mund të përdoret për qëllime teknike. Ndërkohë, ekspertët dhe ekipet kompetente po punojnë intensivisht për sigurimin e ujit të pijshëm në afatin më të shkurtër të mundshëm. Komuna e Gostivarit do të vazhdojë t’i informojë qytetarët në mënyrë të rregullt dhe transparente për të gjitha zhvillimet e mëtejshme dhe rekomandimet e institucioneve kompetente”, thonë nga Komuna e Gostivarit.

