Goditet kontrabanda në kufirin Kosovë–Maqedoni, arrestohet një 43-vjeçar nga Shkupi
Një 43-vjeçar nga Shkupi është arrestuar mëngjesin e së premtes në zonën kufitare mes Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës, nën dyshimet për kontrabandë mallrash. Gjatë aksionit policor janë sekuestruar dy automjete transportuese, ndërsa një person tjetër ka arritur të largohet drejt territorit të Kosovës.
Sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB), rreth orës 08:00, policët kanë vërejtur disa persona duke transferuar mallra nga një automjet në tjetrin në vijën kufitare mes fshatrave Tanushë dhe Mjak.
“Policët kanë vërejtur persona duke kryer ngarkim dhe shkëmbim të mallrave në një automjet transportues ‘Volkswagen’ me targa të Kosovës dhe një automjet ‘Peugeot’ me targa të Shkupit”, thuhet në njoftimin e MPB-së.
Pas ndërhyrjes së policisë, është arrestuar A.A. (43) nga Shkupi, drejtuesi i automjetit “Peugeot”, ndërsa drejtuesi i automjetit “Volkswagen” ka arritur të largohet në drejtim të Kosovës.
Sipas MPB-së, menjëherë është vendosur koordinim me njësinë Task Force të Policisë së Kosovës, e cila ka ndërmarrë masa për ndalimin e automjetit. Gjatë tentativës për t’iu shmangur policisë, drejtuesi i automjetit ka dalë nga rruga.
Autoritetet bëjnë të ditur se të dy automjetet janë sekuestruar për procedurë të mëtejshme. Për rastin është njoftuar prokurori publik, ndërsa pas dokumentimit të plotë të ngjarjes do të parashtrohet kallëzimi përkatës.

