Gjykimi për Masakrën e Reçakut nis në muajin korrik, 21 persona akuzohen për krime lufte
Gjykimi për Masakrën e Reçakut, njërën nga masakrat që tronditi botën dhe ngjalli reagimin ndërkombëtar në luftën e Kosovës, do të nisë më 20 korrik.
Zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi, ka konfirmuar për Anadolu se gjykimi do të nisë në Gjykatën Themelore nga ora 10:00 më 20 korrik.
“Po, mund të konfirmoj që gjykimi për Masakrën e Reçakut do të nisë më 20 korrik në Gjykatën Themelore, nga ora 10:00”, ka bërë të ditur ajo, duke shtuar se deri më tani nuk ka më shumë detaje, por ato do të mund të bëhen të qarta ndërkohë.
Sipas aktakuzës së ngritur më 31 dhjetor të vitit 2025 nga Prokuroria Speciale e Kosovës, 21 persona akuzohen për krime lufte të kryera gjatë viteve 1998-1999 në fshatin Reçak.
Aktakuza i ngarkon të pandehurit, si pjesëtarë të forcave ushtarake dhe policore serbe, për vrasje, torturë, trajtim çnjerëzor, shkatërrim të pasurisë dhe dëbim të popullatës civile shqiptare. Sipas prokurorisë, këto krime janë kryer në bashkëkryerje dhe në kuadër të përgjegjësisë komanduese.
Ngjarjet kulmuan më 15 janar të vitit 1999, kur rreth orës 06:00 të mëngjesit, forcat serbe rrethuan dhe granatuan fshatin Reçak nga distanca, për të vijuar më pas me operacione tokësore, ku gjatë këtij operacioni u vranë mizorisht 42 civilë shqiptarë të pambrojtur, të moshave dhe gjinive të ndryshme.
Dokumenti po ashtu përshkruan raste të shumta të vrasjeve individuale në lokacione të ndryshme të fshatit, si dhe plagosje të civilëve gjatë përpjekjeve për t’u larguar.
Aktakuza përfshin edhe trajtimin çnjerëzor të rreth 30 civilëve, të cilët u rrahën dhe u detyruan të marshonin drejt zonave malore, ku disa prej tyre u ekzekutuan.
Prokuroria Speciale ka propozuar që gjykimi të zhvillohet në mungesë, pasi të akuzuarit janë të paarritshëm për organet e drejtësisë së Kosovës.

