Gjykata Supreme e ktheu rastin me Spitalin modular në procedurë dhe vendimmarrje të sërishme
Gjykata e Lartë ka pranuar kërkesat për rishqyrtim të jashtëzakonshëm të aktgjykimit për ish-drejtorët e Spitalit Klinik të Tetovës, Florin Besimi dhe Artan Etemi, duke shfuqizuar vendimet e dy gjykatave më të ulëta.
Me aktgjykimin e shfuqizuar, të dy ishin dënuar me nga tre vjet burg për veprën penale “Vepra të rënda kundër sigurisë së përgjithshme”.
Në arsyetimin e vendimit, Gjykata e Lartë vlerëson se gjykatat e mëparshme nuk kanë sqaruar mjaftueshëm provat mbi të cilat është bazuar dënimi, veçanërisht përgjegjësinë e dy ish-drejtorëve për mungesën e pajisjeve kundër zjarrit dhe rrjetit të hidrantëve.
Gjithashtu, mbetet e paqartë nëse mungesa e këtyre pajisjeve ka shkaktuar zjarrin apo ka ndikuar në përhapjen e tij dhe pasojat që kanë ardhur prej tij.
Vendimi është marrë më 22 tetor dhe është publikuar sot nga Gjykata e Lartë.

