Gjendja e keqe në REK Manastir mund t’i rrisë faturat e energjisë elektrike
Ka shumë gjasa që çmimi i energjisë elektrike këtë dimër të rritet, sidomos nëse nuk përmirësohet “gjendja katastrofale” në kapacitetin më të madh energjetik në vend, termocentralin shtetëror REK Manastiri, shkruan Radio Evropa e Lirë, transmeton Portalb.mk.
Sipas ekspertëve të energjetikës me të cilët biseduam, këto goditje financiare për amvisëritë mund të shmangen vetëm nëse REK Manastiri funksionon me kapacitet të plotë gjatë sezonit të ngrohjes me të tre blloqet në funksion, por edhe nëse janë siguruar sasi të mjaftueshme të qymyrit.
Por, nuk dihet nëse do të jetë kështu, me qenë se Qeveria aktuale akuzon se nga ajo paraprake ka trashëguar një gjendje shumë të keqe në sektorin e energjetikës.
“Në tre vitet e fundit nuk është paguar asnjë qindarkë si subvencione për energjinë elektrike. Ajo që ne pamë në faturat se qeveria e mbulon si shpenzim për qytetarët, nuk është paguar. Fatura tani ka arritur në 60 milionë euro, që është borxhi ndaj EVN-së në raport me atë që kemi”, tha ministrja e energjetikës, Sanja Bozhinovska.
Sipas saj, për momentin në REK Manastir “gjendja është katastrofale, dhe Sh.A. ESM është në minus prej 80 milionë euro”.
Çmimet do të varen nga prodhimi vendor
Por sa do të jetë çmimi i energjisë elektrike për amvisëritë do të varet kryesisht nga ajo nëse shteti do t’i sigurojë sasitë për të cilat ka nevojë ESM-ja që t’ia shesë EVN Home-it. Bozhinovska tha se çmimi i prodhimit të energjisë elektrike në vitin 2017 ka qenë 33 euro, ndërsa sot deri në muajin korriku çmimi i saj është 133 euro.
ESM ia shet energjinë elektrike EVN Home-it për 60 euro për megavat orë për nevojat e amvisërive dhe pjesërisht edhe të bizneseve të vogla, ndërsa ekonomia energjinë elektrike e blen me një çmim dukshëm më të lartë të bursës që varion nga 100 në 120 euro në varësi të kohës së ditës.
Nëse nuk ka prodhim të mjaftueshëm, shteti do të duhet të importojë energji elektrike me çmim më të lartë të bursës, gjë që logjikisht e rrit çmimin për amvisëritë, thotë profesori Konstantin Dimitrov.
“Ne duhet të përballemi me të vërtetën. Nëse nuk prodhojmë mjaftueshëm, atëherë duhet të blejmë, zgjidhje tjetër nuk ka. ESM-ja ka obligim që 60 përqind t’ia dorëzojë EVN-së për amvisëritë. Kjo energji subvencionohet nga shteti, por ne si qytetarë përsëri e paguajmë përmes kredive apo në mënyra të tjera”, thotë Dimitrov.
Bozhinovska tha se për momentin kapacitetet e REK Manastirit nuk janë në gjendje mjaft të mirë dhe se nuk mund të presim që të funksionojnë të tre blloqet.
“Prandaj do të prodhojmë energji elektrike për tremujorin e katërt dhe eventualisht edhe për tre muajt e parë të vitit 2025”, tha Bozhinovska.
Qymyr i importuar me cilësi të dobët
Përndryshe REK Manastiri, si kapaciteti më i madh energjetik në vend, prodhon mesatarisht 45 deri në 50 përqind të energjisë elektrike në vend.
Por për momentin, siç informuan nga Qeveria më 3 tetor, REK Manastiri është duke punuar me kapacitet të reduktuar, gjegjësisht në funksion janë vetëm dy nga tre blloqet në termocentral, ndërsa blloku i tretë po riparohet.
Problem shtesë është se qymyri që është blerë për t’u përdorur në termocentral nuk ka qenë i cilësisë së duhur për nevojat e termocentraleve, tha Zoran Konjanovski – drejtor i ri i prodhimit në ESM.
Gjatë vizitës së djeshme të mediave në minierat Suvodoll dhe Brod-Gneotino ai tregoi një mostër të qymyrit, për të cilën shpjegoi se ishte nga shtresimet që ishin hequr nga blloku i tretë i REK Manastirit të shkaktuara nga qymyri i importuar bituminoz i papërshtatshëm, i cili u ka shkaktuar dëm pajisjeve teknologjike të kombinatit.
Konjanovski tha se këto shtresime kanë arritur edhe deri në 13 metra dhe mënjanimi i tyre ka zgjatur tre muaj e gjatë këtij procesi janë përdorur pajisje për minim dhe pajisje nga minierat, me çka është rrezikuar edhe stabiliteti i bllokut.
Ai paralajmëroi denoncime në prokurori për këtë dhe për probleme të tjera në REK Manastir, njësoj si kryeministri Hristijan Mickoski, i cili siguron se “për atë që ka ndodhur do të ketë përgjegjësi”.
“Mbi bazë të nxjerrjes së zgjyrës dhe qymyrit janë konstatuar borxhe prej dy miliardë denarë. E kjo është një situatë alarmante. Hidrologjia është pothuajse bosh, pra në 24 ose 25 përqind, që do të thotë se hidrocentralet janë bosh. As riparimet nuk janë bërë në kohë. Dhe kjo përafërsisht është diagnoza”, tha Mickoski.
Në sektorin energjetik nuk janë bërë investime për dekada të tëra
E përderisa qeveria aktuale fajëson Qeverinë e kaluar për gjendjen e keqe në ESM dhe REK Manastir, lideri aktual i opozitës, Venko Filipçe, është i mendimit se Qeveria aktuale nuk e menaxhon siç duhet procesin e punës së REK Manastir, ndërkohë që tha edhe se qytetarët paguajnë fatura më të larta të energjisë elektrike.
“Objektet tona në REK Manastir kanë disa muaj që nuk punojnë, gjë që krijon presion shtesë në sistemin energjetik. Shpenzimet për blerjen e energjisë elektrike nga bursa janë të mëdha, dhe faturat që qytetarët i paguajnë për energji elektrike vazhdimisht janë të larta”, tha Filipçe.
Në periudhën e kaluar shteti importonte qymyr nga Shqipëria, por blerje u bënë edhe nga Greqia.
Mickoski tha se pret një dimër “shumë sfidues” jo për shkak të temperaturave, por për shkak të situatës me sistemin e shkatërruar energjetik në Ukrainë, por edhe për shkak të situatës në ESM.
Profesori Dimitrov thotë se nuk mund të presim që të jetë ndryshe nëse e kemi parasysh faktin se në dy dekadat e fundit ka ndërtuar vetëm dy-tri objekte energjetike (Kozjak dhe Sveta Petka), ndërsa nuk ka siguruar sasi shtesë të qymyrit nga minierat e veta.
“Kompania qeveritare për prodhimin e energjisë elektrike – Termocentralet e Maqedonisë së Veriut (ESM) është e sfilitur financiarisht, nuk është bërë asgjë nga aspekti teknik që objektet që i kemi të jenë në gjendje të mirë. Kjo do të thotë se çfarë kemi mbjellur atë edhe do ta korrim”, thotë Dimitrov
Maqedonia e Veriut planifikon të hapë një minierë të re që qymyrit në Pellagoni në një sipërfaqe prej 7,8 kilometra katrorë, e cila është pothuajse aq sa miniera ekzistuese në Suvodoll të Manastirit, por për momentin shfrytëzimi i kësaj miniere ende nuk ka filluar.
Mbetet varësia nga qymyri
Qëllimi është që qymyri të nxirret nga vendi Zhivojno në 14 vitet e ardhshme në një minierë sipërfaqësore për furnizimin e REK Manastirit, ndërsa përllogaritjet e ESM tregojnë se nga atje pritet të nxirren 23,6 milionë tonë qymyr.
Qëllimi për të hapur një minierë të re në Pellagoni vjen në një kohë kur ka një reduktim të rezervave të qymyrit në minierat Suvodoll dhe Brod-Gneotino, por edhe në të njëjtën kohë kur shteti miratoi strategji të shumta dhe dokumente ndërkombëtare për dekarbonizimin e sektorit të energjetikës.
Varësia nga qymyri dhe energjia elektrike nga termocentralet vazhdon edhe krahas qëllimeve ambicioze për një tranzicion energjetik të vendit me miratimin e Strategjisë së Energjetikës në shkurt të vitit 2020, me çka u bë vendi i parë në Ballkanin Perëndimor i cili përcaktoi data konkrete për eliminimin e qymyrit dhe mbylljen e termocentraleve.
Dokumentet dhe ligjet parashikojnë se termocentralet me qymyr ose duhet të mbyllen ose t’i respektojnë rregullat për kontrollimin e ndotjes, në kushte kur organizatat e shoqërisë civile si “Bankwatch” thonë se termocentrali i Manastirit është një nga ndotësit më të mëdhenj me dioksid të sulfurit në Evropë.
Në ndërkohë u ndërtuan shumë termocentrale fotovoltaike, por ato janë kryesisht në pronë private dhe e shesin energjinë elektrike me çmimet e bursës. Dimitrov thotë se për një stabilitet energjetik shteti duhet të ndërtojë më shumë kapacitete që do të jenë në pronësi shtetërore.
Ndryshe, sezoni i ngrohjes fillon më 15 tetor 2024 dhe mbaron më 15 prill 2025.