Gir: Duhen përpjekje si nga Shkupi ashtu edhe nga Sofja për të zhvilluar marrëdhënie të mira fqinjësore

Gir: Duhen përpjekje si nga Shkupi ashtu edhe nga Sofja për të zhvilluar marrëdhënie të mira fqinjësore

Euroambasadori në vend, Dejvid Gir theksoi se që të dyja palët, edhe Maqedonia e Veriut edhe Bullgaria, duhet të bëjnë përpjekje të njëjta për zhvillim të marrëdhënieve të mira fqinjësore.

“Duhen përpjekje dhe angazhime nga të dyja palët, në vullnet të mirë për të zhvilluar këto marrëdhënie pozitive, dhe të dyja palët të bëjnë përpjekje për zbatimin e Marrëveshjes së Fqinjësisë së Mirë, në mënyrë që ajo të zbatohet me vullnet të mirë për të përfituar të dyja palët”, tha Gir duke u përgjigjur në pyetjet e  gazetarëve në hapjen e Shtëpisë së Evropës në Manastir.

Ai tha se të gjitha vendet kanë interes nga zhvillimi i marrëdhënieve të mira fqinjësore në kontekst të zhvillimit të ekonomisë, krijimit të vendeve të reja të punës, kulturës dhe gjithë shoqërisë.

“Ajo që është më e rëndësishme është se të gjitha palët duhet të bëjnë gjithçka që është e mundur me qëllim që të krijohet atmosferë që ato marrëdhënie të jenë më produktive dhe më të dobishme sa më shumë që është e mundur”, u shpreh Gir.

Sipas tij, në kuadër të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, e cila është marrëveshja e parë për marrëdhëniet me BE-në, dhe në kuadër të negociatave për anëtarësim, siç tha ai, është gjithmonë e një rëndësie të madhe zhvillimi i marrëdhënieve të mira në kontekst të marrëdhënieve të mira fqinjësore.

“Ajo që duam të shohim është që ky vend të vlerësohet në bazë të progresit që do të arrijë në procesin e reformës dhe të gjitha përpjekjet duhet të përqendrohen në këtë, në krijimin e vendeve të punës, zhvillimin e sektorit energjetik, mjedisit jetësor, qeverisjes së drejtë, që ndikon drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve”. përfundoi Gir.

MARKETING