Gërvalla kritikon qasjen e BE-së për sulmin terrorist në Banjskë
Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, në Forumin e Dubrovnikut ka kritikuar qasjen e Bashkimit Evropian (BE) për sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit.
Ajo ka thënë se atje ka ndodhur një akt i hapur agresioni kundër Republikës së Kosovës derisa Shtetet e Bashkuara e kanë emëruar ashtu siç është, BE nuk e ka bërë një veprim të tillë?
“Sa i përket Banjskës dhe mos dënimit të Radoiçiqit e as ndalimit të tij, do të doja të dëgjoja një koment nga z.O’Brien dhe z.Lajçak, sepse ne në Kosovë e kemi thënë qartë – është akt i hapur agresioni kundër Republikës së Kosovës. Kjo duhet të emërtohet ashtu siç është, Shtetet e Bashkuara e kanë bërë, por jo edhe Bashkimi Evropian”, ka deklaruar ajo.
Siç raportojnë mediat, Gërvalla ka thënë se qeveria e re serbe është e “kapur” nga e kaluara.
“Presidenti i Serbisë jo që nuk e ka qeverinë që sheh ka e ardhmja, por nëse e analizon përbërjen e kësaj qeverie, do të shihni ministra të Milosheviqit, ministra të sanksionuar nga SHBA dhe Mbretëria e Bashkuar dhe do të shihni gjuhë hegjemoniste ndaj të gjithë fqinjëve, jo vetëm ndaj Kosovës. Po të ishte çështje vetëm bilaterale, do të ishte më lehtë të zgjidhje, por nuk është”, ka thënë ajo.
Më tej shefja e diplomacisë kosovare ka thënë se “është fakt se ky lidership i Serbisë nuk është distancuar nga e kaluar dhe e ka lejuar që rajoni të ndikohet nga e kaluara”.