Gashi shpall zgjedhjet e jashtëzakonshme në Komunën e Bërvenicës më 18 tetor
Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, ka njoftuar se ka nënshkruar vendimin për shpalljen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetar të Komunës së Bërvenicës.
Sipas njoftimit të Gashit, zgjedhjet do të mbahen më 18 tetor 2026, në përputhje me Kushtetutën, Kodin Zgjedhor dhe ligjet në fuqi.
“Pres nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve, Komisioni Komunal i Zgjedhjeve në Bërvenicë dhe të gjitha institucionet përgjegjëse për zbatimin e këtij vendimi, që procesin zgjedhor ta zhvillojnë me profesionalizëm, paanshmëri dhe respekt të plotë ndaj ligjit dhe procedurave”, ka deklaruar Gashi.
Ai u ka bërë thirrje kandidatëve dhe subjekteve politike që fushatën zgjedhore ta zhvillojnë në mënyrë dinjitoze, duke u fokusuar në programe, ide dhe vizione për zhvillimin e komunës.
Gashi ka kërkuar që gara zgjedhore të shmangë gjuhën përçarëse dhe veprimet që mund të cenojnë besimin e qytetarëve në procesin demokratik.
Kryetari i Kuvendit gjithashtu u ka bërë apel qytetarëve të Bërvenicës që të marrin pjesë në zgjedhje dhe të ushtrojnë të drejtën e tyre demokratike, duke kontribuar në një proces të qetë dhe të rregullt zgjedhor.
“Jam i bindur se këto zgjedhje do të dëshmojnë pjekurinë demokratike të institucioneve dhe të qytetarëve tanë”, ka thënë Gashi.

