Gashi në takim me Presidenten e Indisë: Demokracia dhe bashkëpunimi lidhin dy vendet

Gashi në takim me Presidenten e Indisë: Demokracia dhe bashkëpunimi lidhin dy vendet

Kuvendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut mirëpriti në një vizitë zyrtare Presidenten e Republikës së Indisë, Draupadi Murmu, një ngjarje që shënon vizitën e parë të një presidenti indian në vend. Kjo vizitë konsiderohet një moment i rëndësishëm në zhvillimin e marrëdhënieve dypalëshe dhe në forcimin e bashkëpunimit politik, kulturor dhe ekonomik ndërmjet dy vendeve.

MARKETING

Description of image

Gjatë qëndrimit në Kuvend, Presidentja Murmu u prit nga Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, me të cilin zhvilloi një takim të veçantë. Pas takimit, ajo nënshkroi Librin e Përshtypjeve të Kuvendit, ku shprehu mirënjohjen për mikpritjen dhe vlerësoi lidhjet historike, kulturore dhe miqësore që ekzistojnë ndërmjet popujve të Indisë dhe Maqedonisë së Veriut.

Në kuadër të vizitës së saj, Presidentja indiane iu drejtua deputetëve dhe qytetarëve në një seancë plenare të Kuvendit. Në fjalimin e saj, ajo theksoi rëndësinë e demokracisë si një vlerë themelore që bashkon të dyja vendet, duke nënvizuar se parlamentet janë institucionet që mbrojnë liritë e qytetarëve dhe pasqyrojnë ndërgjegjen e një kombi.

Duke folur për marrëdhëniet mes Indisë dhe Maqedonisë së Veriut, Murmu u shpreh se vendi nuk shihet si një partner i largët, por si një faktor i rëndësishëm në ndërtimin e një të ardhmeje globale më të qëndrueshme, multipolare dhe të begatë.

Presidentja e Indisë veçoi gjithashtu lidhjet e veçanta historike dhe kulturore mes dy popujve, duke përmendur figurën e Nënë Terezës, të cilën e cilësoi si “vajza më e famshme e Shkupit” dhe një simbol që lidh dy vendet. Ajo bëri të ditur se gjatë vizitës së saj do të zhvillojë homazhe për Nënë Terezën, ndërsa paralajmëroi edhe dhurimin e një busti të Mahatma Gandhit për popullin e Maqedonisë së Veriut.

Sipas Presidentes Murmu, idealet e Gandhit për paqe, mirëkuptim dhe bashkëjetesë janë vlera universale që bashkojnë njerëzit përtej kufijve. Ajo theksoi gjithashtu rëndësinë e diplomacisë parlamentare, intensifikimit të kontakteve ndërmjet dy vendeve dhe rolit gjithnjë e më të madh të grave në proceset demokratike.

Duke iu referuar filozofisë së lashtë indiane “E gjithë bota është një familje”, Presidentja Murmu bëri thirrje për ndërtimin e urave të bashkëpunimit dhe mirëkuptimit në një kohë kur bota përballet me sfida dhe ndarje të shumta.

Vizita e Presidentes së Indisë në Maqedoninë e Veriut shihet si një hap i rëndësishëm drejt thellimit të partneritetit ndërmjet dy vendeve dhe forcimit të lidhjeve të tyre në të ardhmen.

MARKETING