Forcimi i bashkëpunimit parlamentar: Gashi takohet me kryetarin e Senatit të Mbretërisë së Belgjikës dhe nënkryetarin e Kuvendit të Ukrainës
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, në kuadër të Asamblesë së 152-të të Unionit Ndërparlamentar në Stamboll, realizoi takime dypalëshe me Kryetarin e Senatit të Mbretërisë së Belgjikës, Vinsent Blondel, dhe me nënkryetarin e parë të Kuvendit të Ukrainës, Oleksandër Kornienko.
Në takimin me Blondelin u konfirmua bashkëpunimi i mirë dhe i qëndrueshëm midis dy vendeve, si dhe vendosmëria e përbashkët për avancimin e saj më tej. Kryetari Gashi theksoi rëndësinë e mbështetjes së Belgjikës për perspektivën evropiane të Maqedonisë së Veriut, duke theksuar se zgjerimi i Bashkimit Evropian është faktor kryesor për stabilitetin dhe sigurinë e kontinentit.
Bashkëbiseduesit theksuan rolin e diplomacisë parlamentare dhe ranë dakord të thellojnë bashkëpunimin përmes shkëmbimit të përvojave dhe praktikave të mira.
Në takimin me Kornienkon, Kryetari Gashi përsëriti mbështetjen e fortë të Maqedonisë së Veriut për sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës. U theksua bashkëpunimi i shkëlqyer dypalësh dhe dialogu intensiv parlamentar, si dhe rëndësia e forcimit të mëtejshëm të marrëdhënieve përmes grupeve të bashkëpunimit parlamentar. Kryetari Gashi shprehu gatishmërinë e Maqedonisë së Veriut për të vazhduar kontributin në përpjekjet ndërkombëtare për të arritur paqe të qëndrueshme dhe në procesin e rindërtimit në Ukrainë.
Bashkëbiseduesit vlerësuan së bashku se ekziston potencial i konsiderueshëm për thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit dypalësh dhe shumëpalësh, veçanërisht në kuadër të Unionit Ndërparlamentar.
Aktivitetet e Asamblesë së 152-të të UNP-së vazhdojnë me mbledhjet e të gjitha organeve statutore të Unionit, duke përfshirë Këshillin Drejtues, katër komisionet e përhershme, Forumin e Grave Deputete, Forumin e Deputeteve të Rinj, Komitetin për të Drejtat e Njeriut të Deputetëve, etj.
Pritet që Asambleja e 152-të e UNP-së të miratojë Strategjinë e re të UNP-së për periudhën 2027–2032, si dhe të zgjedhë Sekretar të Përgjithshëm të ri të organizatës, i cili do të zëvendësojë Sekretarin e Përgjithshëm aktual Martin Çungong.

