Fonseca prezantohet te Milani: Jam këtu për të fituar, Ibra më tregoi hapësirën boshe për trofe

Fonseca prezantohet te Milani: Jam këtu për të fituar, Ibra më tregoi hapësirën boshe për trofe

Pasi mbërriti në Milano mëngjesin e së shtunës, 6 korrik, trajneri i thirrur për të marrë trashëgiminë e Stefano Piolit ka pasur mundësinë ditët e fundit të njihet me klubin e tij të ri, të takohet me drejtuesit për të bërë një bilanc të situatës me ta. Gjithashtu, portugezi është njohur nga afër me infrastrukturën e Milanello.

Prezantimi i tij në “Casa Milan” përkoi me mbledhjen dhe për rrjedhojë fillimin zyrtar të sezonit 2024-2025 të kuqezinjve. Në fjalën e tij, Paulo Fonseca nënvizoi: “Duhet t’ju falënderoj për mënyrën se si jam pritur këtu, ditët e fundit. Më pas duhet të falënderoj klubin për besimin e treguar ndaj meje.

Jam shumë i emocionuar, i motivuar për të bërë punën time. E di që po vij në një klub ku vlen vetëm fitorja. Isha në muzeun e klubit, pashë nga afër historinë e Milanit. Kam ambicien e madhe të jem pjesë e kësaj historie. Jam gati dhe mezi pres të filloj punën.

E di mirë se trajneri që vjen këtu ka detyrën për të fituar. Unë kam parë Baresi shumë herë dhe lojtarë të tjerë që kanë bërë historinë e Milanit. Jam i vetëdijshëm se është një përgjegjësi e madhe për mua, por edhe krenari e madhe njëherazi. Milani është një klub universal, e di përgjegjësinë që kam në duart e mia, por gjithashtu e di që jam këtu me shumë besim për ta vazhduar këtë histori.

Unë besoj vërtet në skuadrën që kemi. Nuk është asgjë e re të them se kemi nevojë për lojtarë, por jo shumë. Kemi cilësi në grupin ekzistues, por është e vërtetë që duhen plotësuar rolet për ta përmirësuar ekipin.

Trajneri i fundit i huaj që fitoi në Itali ishte Mourinho? Unë dua të jem i radhës. Jam ndryshe nga Mourinho, por si trajner i Milanit kam ambicie të mëdha. E di përgjegjësinë e të qenit trajner i Milanit dhe dua të fitoj.

Milani ka luajtur futboll sulmues në historinë e tij, për të fituar duhet të jemi ekip dominues. Unë dua të ndërtoj një ekip të guximshëm, dominues, sulmues, reagues, që nuk i lë kundërshtarët të mendojnë dhe të luajnë. Për mua është e rëndësishme që tifozët të jenë krenarë me ne, për identitetin tonë të fortë. Kjo është një pikë e rëndësishme për mua.

Merkatoja? Ne kemi nevojë për një qendërsulmues. Po përpiqemi të sjellim sulmuesin e duhur, me karakteristikat e duhura. Nëse duam të luajmë në 30 metrat e fundit, kemi nevojë për një sulmues të fortë. E dimë se çfarë duam, e presim së shpejti.

Leao? Ai është i rëndësishëm për Milanin, një lojtar vendimtar. Pres që ai të jetë i motivuar, i gatshëm për të luajtur për ekipin. Ai është i ri, mund të mësojë çdo ditë. Si trajner dua të punoj çdo ditë për ta bërë atë të përmirësohet.

Mbrojtja e Milanit? E kam studiuar ekipin, nuk dua të bëj krahasime me të kaluarën, por shikoj se çfarë ka për t’u përmirësuar. Ka vend për përmirësim në nivelin mbrojtës, sepse duam të ndërtojmë një ekip më agresiv, i cili t’i mbajë kundërshtarët sa më larg portës së vet. Kemi disa mbrojtës të mirë, nuk mendoj se është problem i cilësisë individuale për momentin.

Mbi tifozët dhe skepticizmin e tyre? Dua t’i bëj të kuptojnë se do të jemi një ekip ambicioz, se do të luajmë gjithmonë për të fituar. E di cila është përgjegjësia ime, e di që duhet t’i bind, por jam i sigurt se ata do të na mbështesin gjithmonë. Të gjithë së bashku do të jemi më të fortë”.

Ibrahimovic? Është një pikë referimi për të gjithë ne këtu te Milani. Nuk është e rëndësishme t’ju tregojmë se kur filluam të flasim, por t’ju bëj të ditur se ka pasur uniformitet të madh idesh që në fillim. Të gjithë jemi të sigurt për të tashmen dhe të ardhmen e kësaj skuadre”.

MARKETING