Doli nga shtypi botimi më i ri i Fondacionit “ALSAR” me titull “Nga hermeneutika te shpirti” të autorit Metin Izeti
Fondacioni “ALSAR” gjatë këtyre ditë ka nxjerr nga shtypi botimin më të ri të tyre me titull “Nga hermeneutika te shpirti” të autorit Metin Izeti.
Në lidhje me këtë botim të ri, ka shkruar edhe vet autori Metin Izeti, i cili duke falënderuar botuesin nga Alsar, Mehdi Gurra tjerash ka thënë se në një kohë ku “shkencat profitabile” dhe logjika e tregut shpesh e eklipsojnë shpirtëroren, vullneti i tij për të jetësuar këtë botim është një dëshmi e fisnikërisë dhe përkushtimit ndaj vlerave që nuk vdesin.
Postimi i plotë i Metin Izetit:
Të shkruash do të thotë të kërkosh udhën drejt tjetrit, por të botosh do të thotë të ndërtosh urën që e bën këtë takim të mundshëm. Në rrugëtimin tim krijues me librin “Vëzhguesi i brendshëm: Nga hermeneutika te shpirti”, kam pasur fatin të gjej jo thjesht mbështetës, por bashkëudhëtarë që besojnë te fuqia e fjalës dhe e mendimit të thellë.
Sot, ndiej një detyrim shpirtëror të shpreh mirënjohjen time më të sinqertë për Fondacionin ALSAR, një vatër që vazhdon të mbajë gjallë dritën e kulturës dhe dijes në hapësirën tonë.
Një falënderim i veçantë, miqësor dhe nga zemra shkon për mikun tim, Z. Mehdi Gurra. Në një kohë ku “shkencat profitabile” dhe logjika e tregut shpesh e eklipsojnë shpirtëroren, vullneti i tij për të jetësuar këtë botim është një dëshmi e fisnikërisë dhe përkushtimit ndaj vlerave që nuk vdesin. Mehdiu nuk mundësoi thjesht shtypjen e ca faqeve, por i dha frymë një dialogu filozofik që synon të deshifrojë qenien tonë në këtë epokë te zhurmshme.
Libri tashmë nuk më përket vetëm mua; ai i përket lexuesit që kërkon të vëzhgojë përtej sipërfaqes. Faleminderit ALSAR që bëni të mundshme që “shpirti” të gjejë gjuhën e tij të shkruar.
Me respekt dhe mirënjohje,
Metin Izeti





