Finlanda paralajmëron se Rusia po përshkallëzon sulmet hibride në gjithë Evropën
Kryeministri i Finlandës paralajmëroi se Rusia po intensifikon sulmet hibride në gjithë Evropën, duke shënjestruar infrastrukturën kritike dhe objektet që lidhen me mbrojtjen, në përpjekje për të frikësuar vendet që mbështesin Ukrainën dhe për të dobësuar ndihmën ushtarake për Kievin, transmeton Anadolu.
“Jam më pesimist”, tha Petteri Orpo për të përditshmen finlandeze Iltalehti. “Sigurisht, kjo bazohet në të gjitha informacionet që kam marrë dhe ndjek gjithashtu atë që po ndodh në vendet fqinje, në Evropë. Rusia po vepron në mënyrë agresive”, shtoi ai.
Orpo iu referua incidenteve të fundit në Estoni, Bullgari, Itali dhe Gjermani. Ndërsa autoritetet po hetojnë secilin rast veçmas, ai tha se zyrtarët po shqyrtojnë gjithashtu kohën e tyre në kontekstin më të gjerë të sabotimeve të mundshme dhe kërcënimeve të tjera hibride.
“Besoj se duhet të jemi të përgatitur dhe vigjilentë, sepse Rusia po përpiqet qartësisht ta përshkallëzojë situatën”, tha ai, duke shtuar se Moska po përpiqet t’u bëjë presion vendeve që mbështesin Ukrainën në mënyrë që ndihma ushtarake të zvogëlohet. Ai u zotua se kjo strategji do të dështojë.
“Mund t’ju them se kjo nuk do të ndodhë. Do të funksionojë në drejtim të kundërt”, theksoi ai. “Ne duhet të vazhdojmë t’i ofrojmë Ukrainës mbështetjen më të fuqishme të mundshme për aq kohë sa të jetë e nevojshme. Nuk mund ta theksoj sa duhet këtë”, deklaroi Orpo.
– Rritet mundësia e sabotimeve
Iltalehti raportoi se qeveria finlandeze ka marrë vlerësime të përditësuara të kërcënimeve nga shërbimet e inteligjencës të vendit. Sipas këtyre vlerësimeve, operacionet e dyshuara të sabotimit të lidhura me inteligjencën ruse tani konsiderohen më të mundshme në Finlandë sesa më parë.
Sipas burimeve të cituara nga gazeta, Rusia po përqendrohet te dërgesat e armëve dhe objektet e prodhimit të armëve, përfshirë fabrikat që prodhojnë municione dhe dronë për Ukrainën.
Gazeta përmendi disa incidente të fundit në vende të tjera të Evropës si shembuj: një përpjekje për t’i vënë zjarrin një kompanie në kryeqytetin estonez Tallinn që prodhon sisteme autonome luftarake tokësore; një shpërthim në një depo municionesh në Bullgari; një zjarr në një fabrikë municionesh në Itali; dhe një sulm me dron të mbushur me eksplozivë ndaj një avioni ukrainas të transportit në Gjermani.
Burimet e inteligjencës kanë paralajmëruar gjithashtu se Rusia mund të tentojë të godasë një fabrikë finlandeze municionesh ose armësh, apo një depo armësh.
Me 1.343 kilometra, Finlanda ka kufirin më të gjatë me Rusinë nga të gjitha shtetet anëtare të NATO-s ose Bashkimit Evropian.
Bashkimi Sovjetik pushtoi Finlandën në nëntor 1939. Lufta e Dimrit, siç njihet, zgjati më shumë se tre muaj dhe, pavarësisht humbjeve të mëdha, Bashkimi Sovjetik fitoi.

