Fidan diskuton çështjet dypalëshe dhe rajonale me Lavrovin
Ministri i Jashtëm turk Hakan Fidan u takua në Istanbul me homologun e tij rus Sergey Lavrov, në kuadër të takimit të tretë të Platformës së Bashkëpunimit Rajonal të Kaukazit Jugor 3+3, raporton Anadolu.
Sipas burimeve nga MPJ-ja turke, takimi, i cili u zhvillua në margjinat e forumit të bashkëpunimit rajonal, u fokusua në marrëdhëniet dypalëshe dhe çështjet rajonale.
Të dy ministrat diskutuan gjithashtu përgatitjet për vizitën e ardhshme të presidentit turk Recep Tayyip Erdoğan në Kazan, një qytet në Rusinë jugperëndimore, për samitin e BRICS-it.
Përveç bisedimeve me Lavrovin, Fidan u takua veçmas edhe me ministrin e Jashtëm armen Ararat Mirzojan.
Sipas informacioneve të dy ministrive të Jashtme, diskutimi i tyre u fokusua në marrëdhëniet dypalëshe, zhvillimet rajonale dhe procesin e vazhdueshëm të normalizimit midis Türkiyes dhe Armenisë.
Platforma 3+3, e cila përfshin Armeninë, Azerbajxhanin dhe Gjeorgjinë, së bashku me vendet fqinje, Iranin, Rusinë dhe Türkiyen, synon të nxisë bashkëpunimin rajonal në Kaukazin Jugor.
Ministrat e Jashtëm nga Azerbajxhani, Armenia, Irani dhe Rusia iu bashkuan Fidanit për takimin e mbajtur në Istanbul.
Bisedimet e para në formatin 3+3 u mbajtën në Moskë në dhjetor 2021 në nivel zv/ministrash të Jashtëm, gjithashtu pa pjesëmarrjen e Gjeorgjisë.