Fetai: Lufta kundër korrupsionit – prioritet kyç në rrugën e Maqedonisë së Veriut drejt BE-së
Zëvendëskryeministri Arben Fetai, sot mbajti fjalë hyrëse gjatë prezantimit të Udhëzuesit të parë për integrimin e masave kundër korrupsionit në kapitujt dhe klasterët e negociatave me Bashkimin Evropian.
Ky projekt, informojnë nga Kabineti i Fetait, i mbështetur nga Qeveria e Suedisë dhe zbatuar nga UNOPS, është një hap i rëndësishëm në avancimin e agjendës sonë të reformave.
Fetai potencoi se lufta kundër korrupsionit është top prioritet strategjik për Qeverinë e Maqedonisë së Veriut, me fokus në forcimin e mekanizmave për parandalimin dhe adresimin e tij në të gjitha nivelet.
“Përmes këtij Udhëzuesi Qeveria synonë përforcimin e kapaciteteve institucionale për të identifikuar dhe adresuar rreziqet e korrupsionit, krijimin e një model observatori për ndjekjen e rasteve të korrupsionit, bazuar në praktikat më të mira të vendeve anëtare të BE-së, ndërtimin e një qasjeje të unifikuar qeveritare dhe masa të standardizuara që forcojnë transparencën, integritetin dhe llogaridhënien”, thuhet në kumtesë.
Këto hapa, thuhet më tej, janë thelbësorë për ta afruar Maqedoninë e Veriut me standardet e BE-së dhe për të rikthyer besimin e qytetarëve në institucionet e shtetit.