Erdoğan në Beograd, rithekson rëndësinë e paqes dhe stabilitetit në Ballkan

Erdoğan në Beograd, rithekson rëndësinë e paqes dhe stabilitetit në Ballkan

Presidenti i Türkiyes, Recep Tayyip Erdoğan, duke theksuar se në takimin e tij me homologun serb Aleksandar Vuçiq ka nënvizuar rëndësinë e paqes dhe atabilitetit në Ballkan, tha se “Është e qartë rëndësia e arsyes së shëndoshë në qasjen ndaj tensioneve të fundit Serbi-Kosovë”, raporton Anadolu.

Erdoğan dhe Vuçiq mbajtën një konferencë pas takimit të tyre në Pallatin Presidencial, mbledhjes së Këshillit të Bashkëpunimit të Nivelit të Lartë Türkiye-Serbi dhe nënshkrimit të marrëveshjeve dypalëshe.

Duke theksuar se me Serbinë kanë nënshkruar 11 marrëveshje bashkëpunimi, në fusha si energjia, tregtia, teknologjia, sporti, sigurimet shoqërore, menaxhimi i fatkeqësive dhe media, presidenti turk tha: “Nënshkruam 11 marrëveshje, që do të forcojnë bazën kontraktuale të marrëdhënieve tona”.

“Vëllimi i tregtisë me Serbinë kaloi 2 miliardë dollarë për dy vjet radhazi. Vazhdojmë të ndërmarrim hapa për të arritur objektivin e përbashkët prej 5 miliardë dollarësh”, tha Erdoğan, duke shtuar se në 12 vitet e fundit, investimet e tyre në Serbi janë rritur nga 1 milionë dollarë në 405 milionë dollarë.

Presidenti Erdoğan në fjalën e tij u ndal edhe në rajonin e Ballkanit, ku ai ritheksoi rëndësinë e paqes dhe stabilitetit në këtë rajon. “Nënvizuam edhe një herë rëndësinë e paqes dhe stabilitetit në Ballkan. Është e qartë rëndësia e arsyes së shëndoshë në qasjen ndaj tensioneve të fundit Serbi-Kosovë”, theksoi presidenti turk, duke vazhduar:

“Theksova rëndësinë e qasjes konstruktive të Serbisë për të lënë pas brishtësinë politike në Bosnjë e Hercegovinë”.

Presidenti turk foli edhe për çështjen e Palestinës. “Pas 7 tetorit, 9 vende kanë njohur shtetin e Palestinës. Edhe një herë ua rikujtoj shteteve që s’e kanë njohur Palestinën, ta bëjnë një hap të tillë”, apeloi ai.

Përpara vizitës në Serbi, Erdoğan dje vizitoi Shqipërinë, ku u takua me krerët e shtetit dhe përuroi Xhaminë e Namazgjasë të ndërtuar me kontributet e Kryesisë së Çështjeve Fetare të Türkiyes dhe Fondacionit të Dijanetit turk.

MARKETING