Erdogan: Marrëveshja e Përbashkët e Mbrojtjes së Mekës nuk synon asnjë vend dhe është e hapur për vende të tjera mike
Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, tha se Marrëveshja e Përbashkët e Mbrojtjes së Mekës, e nënshkruar më herët gjatë ditës midis Turqisë, Arabisë Saudite dhe Pakistanit, nuk synon asnjë vend dhe mbetet e hapur për pjesëmarrjen e vendeve të tjera mike që synojnë paqen, prosperitetin dhe stabilitetin në rajon, transmeton Anadolu.
Në një postim në platformën turke NSosyal, Erdogan tha se marrëveshja, e bazuar në parimin e parandalimit kolektiv, do të forcojë sigurinë dhe bashkëpunimin në mbrojtje, do të mbështesë projektet e përbashkëta të industrisë së mbrojtjes dhe do të kontribuojë në përpjekjet kundër terrorizmit.
Ai tha se marrëveshja riafirmon gjithashtu të drejtën për vetëmbrojtje, siç përcaktohet në Nenin 51 të Kartës së OKB-së.
“Marrëveshja nuk synon asnjë vend dhe është e hapur për pjesëmarrjen e të gjitha vendeve vëllazërore që synojnë paqen, prosperitetin dhe stabilitetin në rajonin tonë”, tha Erdogan.
Turqia, shtoi ai, do ta ruajë me vendosmëri qëndrimin e saj parimor në favor të zgjidhjes së konflikteve dhe krizave përmes dialogut dhe diplomacisë, bazuar në respektimin e së drejtës ndërkombëtare dhe në përputhje me vizionin e saj për pronësinë rajonale.
Erdogan tha se udhëtoi drejt Mekës më herët me ftesë të princit saudit të kurorës dhe kryeministrit Mohammed bin Salman, ku u takua me princin saudit të kurorës dhe kryeministrin pakistanez Shehbaz Sharif.
“Me këtë rast, ne si tri vende nënshkruam një Marrëveshje të Përbashkët të Mbrojtjes”, tha ai.
Erdogan shprehu shpresën që vizita, konsultimet dhe marrëveshja të jenë në dobi të gjithë rajonit.

