Elvis Hetemi, shqiptari që synon të boksojë për titullin e botës në WBC

Elvis Hetemi, shqiptari që synon të boksojë për titullin e botës në WBC

Shqiptarët gjithmonë janë shquar me aftësi të veçanta në sportet marciale, mbase edhe të ndikuar nga vuajtjet ndërshekullore të këtij populli në gjenin tonë është instaluar nevoja dhe talenti për zhvillim të shkathtësive luftarake.

Elvis Hetemi nga Vushtria e Kosovës është personazhi që po e prezantojmë në këtë rast. Boksier 31 vjeçar që jeton e vepron në Gjermani, ku falë punës së përkushtuar sukseset nuk kanë munguar. Elvisi në boksin amator ka 125 duele prej të cilave 110 i ka mbyllur me fitore, ndërsa si i pamposhtur në Bundesligë siguroi edhe ftesë për të boksuar për kombëtaren e Gjermanisë.

Hapi i radhës ishte boksi profesionist ku deri tani ka zhvilluar 19 duele, prej të cilave 18 i ka fitore, ndërsa 12 prej tyre me nokaut.

Djaloshi që punon me përkushtim maksimal nën urdhërat e mjeshtërit të boksit, trajnerit Bekim Hoxhaj nga Leverkuseni i Gjermanisë, është kampion gjerman në  BDB në peshën e mesme. Duke pasur një ecuri shumë pozitive, Elvis Hetemi së shpejti pritet të boksojë për një titull në versionin WBC.

Me boks kam filluar të merrem që në moshë shumë të vogël. Babai dhe vëllezërit e mi janë shumë të apasionuar pas këtij sporti dhe si pasojë në moshën 9 vjeçare kam nisur të stërvitem rregullisht. Jam i kënaqur si kanë ecur gjërat dhe e dij se kam ende për të dhënë në këtë sport. Punoj shumë mirë me trajnerin Bekim Hoxhaj dhe uroj që së shpejti të kem mundësi të boksoj për një titull të botës”, shprehet për Sportmania, boksieri 31 vjeçar, Elvis Hetemi.

MARKETING